e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ronaldo: Kisha frike para Paolo Maldinit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ronaldo: Kisha frike para Paolo Maldinit

“Fenomeni” i futbollit, Luis Nazario da Lima Ronaldo, rrëfen për herë të parë momentet e paharrueshme dhe të vështira në futboll. Ylli brazilianin pranon se ka pasur gjithmonë frikë dhe ankth para ndeshjeve të mëdha, edhe pse mundohej të dukej i sigurt në vetvete. Ndërkohë, cilëson Paolo Maldinin si kundërshtarin më të vështirë dhe Kupën e Botës 2002 si momentin më të bukur të jetës së tij.

Pse brazilianët janë kaq të talentuar në futboll?

Është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Futbolli është pjesë e kulturës sonë. Është pasion, ndjenjë. Kur unë isha i vogël, mund të luaja ku të doje në rrugë. Rreth 25 vite më parë nisën të ndërtohen pallate shumëkatëshe kudo. Asokohe menduam se politika po e shkatërronte futbollin, po dëmtonte kulturën tonë. Por, kjo gjë nuk ndodhi. Përveç pallateve, u ndërtuan edhe shumë fusha futbolli. Ne jemi gjithmonë të aftë ta gjejmë një zgjidhje, nuk dorëzohemi kurrë. Kjo na bën specialë.


Edhe pse jeni tërhequr nga futbolli, kur ju zbritët nga makina, njerëzit u afruan për t’iu përshëndetur. Çfarë ndjesie të jep që të njihesh në çdo vend të botës?

Ndihem mirë kur njerëzit më vlerësojnë. Për mua nuk është asgjë të jesh i famshëm, por është e rëndësishme të kesh kontakte me njerëzit. Kur udhëtova për në Hamburg, për një takim pune, isha në linjë normale avioni. Mundohem të jetoj sa më thjesht të jetë e mundur.


Luani ende futboll, sa për t’u argëtuar?


Jo, mori fund. Kam luajtur mjaftueshëm. Problemi im është se ndiej vetëm dhimbje po të luaj.

Çfarë ju dhemb?


(Ngre xhinset dhe tregon gjurin e djathtë) E shikoni gjurin? Kam bërë katër operacione. Tendinat e mia janë shumë të lodhura. Shikoni këtu (tregon këmbën e majtë), kam bërë dy herë operacion. Sërish në tendina. Këmbët e mia kanë vuajtur shumë gjatë gjithë karrierës. Në fakt, i gjithë trupi im.


Pse nuk u tërhoqët më herët nga futbolli, kur kishit kaq shumë probleme?Futbolli është një sport kontakti, ndaj ekziston gjithmonë rreziku që të dëmtohesh. Unë kam qenë shumë i pafat në këtr pjesë, por tërheqja nuk ka qenë kurrë një alternativë për mua.

Pendoheni për ndonjë gjë?


E gjithë jeta ime profesionale ka qenë një rutinë strikte. Kam jetuar shumë vite me radhë duke iu përkushtuar 100% futbollit. Nuk kishte asgjë tjetër përveçse ushqime dietike të planifikuara, stërvitje të planifikuara, kalendarë ndeshjesh, plan udhëtimesh. Ishte një jetë tepër e ngarkuar. Kur unë u tërhoqa nga futbolli, thjesht u paralizova, pasi nuk kisha të njëjtin aktivitet ditor. Ishte diçka shokuese.


Ka pasur gabime, për të cilat do donit t’i evitonit?


Gabimi im më i madh lidhet me fundin e karrierës. Në atë kohë, metabolizmi im nuk funksiononte plotësisht në rregull, për rrjedhojë unë duhej të kisha qenë më i vëmendshëm për peshën trupore. E vetmja gjë që bëra ishte të haja sa të mundesha, dhe kjo vërtet më dëmtoi shumë. Nuk arrija ta kontrolloja dot më shëndetin.


Megjithatë, ju nisët të merreni me biznes futbollistik. Nuk ju ndihmoi puna për të qenë në aktivitet?


Po, puna ka qenë shpëtim për mua, por sinqerisht nuk e kam pasur edhe aq të lehtë. Ju shikoni njerëzit që bëjnë një aktivitet të programuar dhe më pas gjejnë kohën për të shkuar në palestër, apo diçka e tillë. Unë e kam pasur shumë të vështirë të bëja jetën e një njeriu normal…


Ju morët pjesë në një program televiziv për të humbur kilet e tepërta. Ishte një nismë serioze nga ana juaj, apo thjesht për humor?


Më shumë se serioze, si mendoni?! Kanë qenë tre muaj tejet të ngarkuar dhe të përkushtuar mbi dietën, ku humba me të vërtetë shumë kilogramë. Edhe kur kam qenë futbollist ushqehesha mirë, por bëja aktivitet fizik. Ndërsa kur u tërhoqa, kam bërë një jetë me të vërtetë shumë të pashëndetshme. Ai program televiziv më përshtati më tepër me jetën normale.
Si futbollist ju dukeshit shumë i sigurt në vetvete. Ishte një shtirje e imazhit?
Sigurisht…


Gjithsesi, dukeshit vërtet shumë i qetë…


Jo, unë kam frikë nga shumë gjëra dhe pësoj shpesh panik ankthi.


Ju ndodh nga fluturimet?


Jo, fatmirësisht. Por, më ndodh shpesh. Për shembull, kam frikë se do mbetem pa para. I trembem shumë faktit që mund të jem sërish i varfër. Duhet ta dish se çfarë do të thotë të jesh i varfër, pasi të kesh pasur fëmijërinë time. Kam frikë nga errësira. Sa herë që më duhet të fle i vetëm, e lë televizorin ndezur gjatë gjithë natës. Kështu kam bërë gjatë gjithë jetës sime. Unë mundohem të mos e shfaq asnjëherë frikën dhe më duket sikur është frika ajo që më udhëheq.
Keni qenë nervoz para ndeshjeve të mëdha?


Po, para çdo ndeshjeje kam qenë shumë nervoz.


Si e kalonit atë vështirësi?


Kisha frikë nga humbja. Shumë gjëra kalonin në kokën time. Por, kur niste loja, përqendrohesha vetëm te topi. Ju më shikonit shumë të qetë, por brenda vetes unë dridhesha nga frika. Ishte e vetmja mundësi që të dukesha shumë i sigurt në vetvete. Në Botërorin e vitit 2002 kisha një peshë të madhe, pasi isha lideri i Brazilit. Duhej të shfaqja patjetër siguri në vetvete, edhe pse e kam pasur me të vërtetë vështirë emocionalisht. Kam pasur gjithnjë frikë që kur nisa audicionet në karrierën time, që në vitin 1994 kur u transferova te PSV Eindhoven.


E mbani mend ditën tuaj të parë në Europë?


Ka qenë tmerrësisht shumë ftohtë dhe unë nuk kuptoja asnjë fjalë. Duhet të imagjinoni që unë vija nga një vend ku isha mësuar të luaja gjithmonë me diellin sipër kokës. Po stërvitesha në temperatura shumë të ulëta, të cilat nuk i kisha provuar asnjëherë më parë. Fusha ishte e ngrirë nga akulli.


Menduat ndonjëherë në fillimet tuaja në Holandë të riktheheshit në Brazil?


Kurrë!


Pse?


Sepse e dija që do e kisha të vështirë në Europë, kështu që nuk do dorëzohesha aq kollaj. Isha i bindur që do i kaloja me sukses të gjitha sfidat që më prisnin.


Ka pasur ndonjë futbollist, mbrojtës, i cili deri diku edhe mund ta trembte Ronaldon?


Po, Paolo Maldini. Para tij kisha frikë. Ai ishte kundërshtari më i mirë, ose më saktë më i keqi.


Pse?


Sepse ai luante me shumë inteligjencë. Kishte shumë eksperiencë dhe pavarësisht se vraponte më pak, bënte gjithmonë lëvizjen e duhur. Parashikonte lëvizjet e mia dhe më vinte shumë në vështirësi. Mbrojtësit gjermanë ishin gjithashtu kundërshtarë të pakëndshëm për një sulmues.


Cili është momenti më special në karrierën tuaj?


Pa diskutim Kupa e Botës 2002. Ajo nuk ka qenë paraqitja ime më e mirë personale, por duke marrë parasysh se cilat ishin pozitat e mia fizike, ka qenë momenti më i paharrueshëm në jetën time.

Në finale triumfuat kundër Gjermanisë…


Po, ishte e jashtëzakonshme.


A ëndërroni për kohën që ishit futbollist?


Po, shumë shpesh. Më mungon futbolli. Por, vetëm ndeshjet. Mund të bëj pa stërvitjet dhe udhëtimet (qesh).


Ndiheni i kënaqur me shpërblimet që keni marrë, për atë që keni dhënë si futbollist?


Të them të drejtën, nuk kam menduar aspak për këtë gjë. Por, familja ime është shumë, shumë e lumtur dhe shumë, shumë e pasur.


E dini saktësisht pasurinë tuaj?


Sigurisht.


Çfarë është paraja për ju?


Liri. Unë e di shumë mirë se çfarë do të thotë të mos kesh asgjë dhe se si ndihesh. Për familjen time, pará do të thotë: të harrosh. Të lësh pas të shkuarën. Paraja i jep me të vërtetë shumë rëndësi çdo personi, edhe pse do doja që të mos ishte kështu.

Jeni njeri që lexoni libra?


Po, dhe e di cila është çmenduria?! Të gjitha librat që kam, m’i ka dhuruar babai. Im atë gjithmonë më jep vetëm libra.

Mbani mend ndonjë titull? Vetëm një?


Mbaj mend shumë. Pjesa më e madhe janë libra të komplikuar. Mbaj mend librin e Kafkës, “Metamorfoza”, të cilin e kam lexuar. Një tjetër është “Lufta dhe paqja” i Tolstoit. Babai im ka dashur gjithmonë që të mos mendoj vetëm për futbollin. Sa herë kam pasur ditëlindjen, më sillnin dhurata të ndryshme, pjesa më e madhe e të cilave më pëlqenin shumë. Babai im nuk harronte gjithashtu të më bënte dhuratë. Gjejeni çfarë? Një libër të ri… (qesh)