Tjeter talent kosovar gati te shpertheje ne Mancester
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas Adnan Januzajt, Premier Ligës angleze së shpejti pritet t’i shtohet edhe një tjetër talent kosovar. Fjala është për Sinan Bytycin, i cili po shkon hapave të 18 vjeçarit të Mançester Junaited. Mesfushori 19 vjeç ka treguar për Arena se nga edicioni i ri do të jetë pjesë e skuadrës së parë të Mançester Sitit.
Rivaliteti i madh mes Mançester Junaited dhe Mançester Sitit shumë shpejt pritet t’i rivalizojë edhe derbi mes dy futbollistëve të rinj kosovarë. Fjala është për Adnan Januzajn dhe Sinan Bytycin, i cili aktualisht luan për ekipin U-21 të Mançester Sitin.
Dikur edhe Januzaj ishte pjesë e të rinjve të ‘Djajve të Kuq’, por sivjet ka shpërthyer me ekipin kryesor. Rrugës së tij po shkon edhe Bytyci, i cili shumë shpejt pritet t’u nënshtrohet urdhrave të Manuele Pelegrinit.
Vet 19 -vjeçari nga Prizreni ka bërë të ditur për Arenën se prej edicionit të ardhshëm do t’u bashkohet yjeve të Mançester Sitit në skuadrën e parë. Bytyci ka treguar se është vëzhguar në vazhdimësi nga Pelegrini, i cili ka mbetur i impresionuar me paraqitjet e mesfushorit të krahut, duke ia bërë me dije se nga edicioni i ardhshëm do ta përfshijë në skuadrën e parë.
“Momentalisht jam në një formë tejet të mirë sportive. Punët me skuadrën janë duke shkuar shumë mirë dhe jam i kënaqur me vetveten deri më tani. Që nga sezoni i ardhshëm do të jem pjesë e skuadrës së parë, dhe mezi po pres që të vij kjo ditë. Këtë lajm ma ka konfirmuar Pelegrini, por edhe trajneri aktual i imi, Patrik Vieira. Do të jem pjesë e skuadrës së parë të Sitit, dhe kjo është një ëndërr e bërë realitet për mua”, ka deklaruar për Arenën Bytyci.
19-vjeçari ka qenë disa herë pjesë e stërvitjeve të skuadrës kryesore, me ftesë të trajnerit kilian, i cili është bindur me cilësitë e kosovarit.
“Jam stërvitur disa herë me skuadrën e parë, dhe vazhdoj ta bëjë të njëjtën gjë edhe gjatë këtij viti, por kuptohet, jo rregullisht. Të stërvitesh përkrah yjeve si Aguerro, David Silva apo Jaja Ture do të thotë shumë, pasi mëson shumë prej tyre dhe një gjë të tillë e kam bërë edhe unë. Afërsia me ta më ka ndihmuar që të piqem edhe më shumë si lojtar, dhe tani kur e mendoj se do të luaj përkrah tyre është diçka e jashtëzakonshme”, ka theksuar ai.
Bytyci është lojtari më i rregullt në formacionin bazë të Mançester Sitit U21, dhe shihet si e ardhmja e klubit anglez.
Ende herët për Kosovën
Sinan Bytyci aktualisht është i përqendruar vetëm te Mançester Siti, pasi po pret të depërtojë në ekipin kryesor të klubit të famshëm anglez. Ndaj, ai nuk po e mundon vetën për të menduar rreth angazhimit të tij në ndonjë përfaqësuese, edhe pse aktualisht luan për ekipin U-19 të Austrisë. Bytyci është gëzuar që FIFA e ka lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore, por nuk është duke menduar rreth përfshirjes në përfaqësuesen kosovare.
“Jam gëzuar shumë që kjo gjë i ka ndodhur Kosovës. Nuk e di se çfarë të them më shumë, por për mua është ende herët të luaj për Kosovën, do të mendohem shumë dhe me familjen do të marr vendim”, tha anësori i Sitit, i cili tregoi se momentalisht synon vetëm sukseset me Mançester Sitin.
“Jam i perqendruar 100 për qind vetëm te skuadra. Pasi t’i arrijë objektivat e mija personale me Sitin, do vendos rreth përfaqësueses”, nënvizoi ai.
Mbret i asistimeve
Përveç David Silvës, Jesus Navasit e Samir Nasrit, sulmuesit e Mançester Sitit, Kun Aguerro,Edin Dzeko dhe Alvaro Negredo do ta kenë në skuadër edhe një ‘magjik’ tjetër për t’i shërbyer me topa preciz. Bytyci njihet si ndër lojtarët më të mirë të rinj për asistime, pasi këtë gjë di ta bëjë më së miri. Në gjashtë ndeshje të luajtura në UEFA Youth League, 19 vjeçari ka arritur të shënoj një gol, ndërsa ka bërë edhe pesë asistime. Ndërkohë, në kampionat, në njëmbëdhjetë ndeshje të zhvilluara, ka arrit t’i realizoj dy gola e tetë asistime për shokët e tij.