e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ergys Kace, lojtari i ri me i mire i vitit 2013

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ergys Kace, lojtari i ri me i mire i vitit 2013

Sensacionale! Ergys Kaçe shpallet lojtari i ri më i mirë i vitit 2013 në Superligën greke. Në mbrëmjen gala të zhvilluar dje nga Federata e Futbollit të Greqisë, krahas çmimeve për trajnerin, lojtarin dhe golashënuesin më të mirë, mesfushori shqiptar i PAOK-ut ka dalë i pari në anketën për sa u përket talenteve të kampionatit helen. Edhe pse në vitin e tij më paradoksal, teksa në periudhën shtator-dhjetor 2013 nuk luajti asnjë ndeshje për PAOK-un, përsëri talenti shqiptar mori vlerësimet më të mëdha nga trajnerët dhe kapitenët e skuadrave të Superligës greke.

Mes dhjetëra të rinjve të kampionatit helen, korçari është vlerësuar për paraqitjen mbresëlënëse që ka bërë në muajt janar-maj të vitit të kaluar, duke ndihmuar skuadrës selanikase ta mbyllë kampionatin në vendin e dytë. Bëhet fjalë për pjesën e dytë të sezonit të kaluar, ndërsa për sa i përket këtij sezoni, në tre muajt e parë Kaçe u pezullua nga klubi selanikas, pasi kishte veshur fanellën me mbishkrimin: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Një foto e tij në “Facebook” u bë çështje në Greqi, aq sa gjatë fundvitit të kaluar mesfushori u aktivizua vetëm me Kombëtaren shqiptare, ndërsa te PAOKu vuajti pezullimin. Ai u kthye në fushë në janar të këtij viti në ndeshjen e kupës PAOK-Iraklis. Tashmë Kaçe ka zënë sërish vend në formacionin e selanikasve, duke qenë ndër të preferuarit e trajnerit Hub Stivens.


Reagimi Pas dorëzimit të çmimit dhe kësaj arritjeje të madhe personale, Kaçe deklaroi ndër të tjera se këtë sukses ua dedikon tifozëve të PAOK-ut. “Falënderoj Federatën e Futbollit të Greqisë, trajnerët dhe shokët e skuadrës sime që më dhanë këtë mundësi. Ky çmim i kushtohet familjes sime, që më ka qëndruar gjithnjë pranë dhe veçanërisht tifozëve të PAOK-ut, të cilët më kanë mbështetur në çdo ndeshje”, – ka thënë i emocionuar Kaçe. Gjatë këtij sezoni, nga 22 ndeshje të zhvilluara deri më tani në kampionatin grek, mesfushori është aktivizuar vetëm në katër prej tyre.