e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

De Biazi i lumtur, porta kuqezi ka konkurrence luksi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
De Biazi i lumtur, porta kuqezi ka konkurrence luksi

“Nëse do të fillojnë të luajnë rregullisht, kombëtarja shqiptare e futbollit do të jetë e sistemuar në portë për shumë vite me radhë”. Këto janë fjalët e trajnerit të kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, rreth tre muaj më parë, kur ai shprehej disi i shqetësuar rreth faktit se kishte në dispozicion portierë cilësorë, por që nuk aktivizoheshin në klubet e tyre. Asokohe, si Etrit Berisha, ashtu edhe Samir Ujkani, ishin zëvendësues respektivisht te Lacio dhe Palermo, me shanse minimale për të fituar ndonjë minutë aktivizim. Por që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra dhe fati e desh që të dy portierët shqiptarë jo vetëm të shihnin më shumë hapësira aktivizimi, por edhe të shihen tashmë si titullarë të paprekshëm në klubet ku bëjnë pjesë.

Berisha planifikohej si portieri i të ardhmes për Lacion dhe në këtë sezon, klubi kryeqytetas planifikonte që t’i krijonte hapësira vetëm në Europa League apo Kupën e Italisë. Por një dëmtim i Marketit bëri që portieri shqiptar të fillonte ndeshjet e vitit 2014 si titullar, duke bindur me paraqitjet e tij dhe duke bërë që një nga portierët më të talentuar të Italisë të lihet në stol. Shqetësimi i De Biazit rreth Berishës ishte se ai do të harronte instinktet e lojës te Lacio, duke luajtur vetëm 10-12 ndeshje në këtë sezon. Por 24-vjeçari, i cili është titullar në kombëtaren shqiptare, që tani ka regjistruar 5 ndeshje në Serinë A, 2 në Kupën e Italisë dhe 3 në Europa League, ndërsa trajneri i Lacios, Edi Reja, as që duket se ka ndër mend ta largojë atë nga formacioni titullar.

Këtë bindje e kanë edhe tifozët e skuadrës bardhekaltër, që e shohin atë si portierin titullar të së ardhmes. Siguria e Berishës dhe dëshira e Marketit për të shkuar në një skuadër më të madhe, ka bërë që lacialët të shohin me prioritet shqiptarin dhe të mbështetin aktivizimin e tij të rregullt në pjesën e dytë të sezonit.

Por protagonist në dy muajt e fundit është bërë edhe Samir Ujkani, që po shkëlqen me fanellën e Palermos në Serinë B. Një dëmtim i të paprekshmit Sorrentino bëri që gardiani shqiptar të fillonte të luante në klub pas rreth një viti në pankinë si zëvendësues. Fatmirësisht për të, gjërat shkuan mjaft mirë për skuadrën siciliane, e cila kryeson aktualisht Serinë B dhe është kandidatja kryesore për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian në sezonin e ardhshëm. Janë 10 ndeshjet e luajtura nga Ujkani, që nuk ka gabuar thuajse asgjë gjatë kësaj periudhe, duke marrë vlerësimet e mediave, drejtuesve të skuadrës, por edhe tifozëve. Fakti se edhe pas riaftësimit të Sorrentinos, është Ujkani ai që luan si titullar, tregon qartë se klubi i Palermos ka vendosur të investojë te portieri 25-vjeçar shqiptar dhe po planifikon që ta mbajë atë si numrin 1 të skuadrës.

Me këtë aktivizim të rregullt të dy portierëve, De Biazi ka garancinë e një reparti të konsoliduar për eliminatoret e Euro 2016. Trajneri italian po mendon vetëm se si kësaj dysheje cilësore dhe veteranit Orges Shehi, t’i bashkojë të rinjtë e talentuar të cilët luajnë me ekipe të ndryshme në Europë si Thomas Strakosha te Lacio, Antonjo Elezaj te Juventus apo Aldo Teqja tek Anorthosis, të cilët do të ftohen me radhë në grumbullimet e kuqezinjve.