e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Luciano Moxhi: Interi eshte kthyer ku e ka vendin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Luciano Moxhi: Interi eshte kthyer ku e ka vendin

Ish-drejtori i Juventusit, Luçiano Moxhi mendon se Interi është sërish në nivelin që ka qenë para skandalit Kalçiopoli, pas të cilit u bë forca kryesore në Itali. Skandali i trukimit të ndeshjeve njëherësh shkaktoi edhe periudhën e dominimit të zikaltërve, të cilët fituan katër tituj radhazi në Serie A (nga viti 2007 deri në vitin 2010). Nga ana tjetër, Zonja e Vjetër pati vështirësi të rimëkëmbej pas dërgimit në Seria B në vitin 2006. Megjithatë, tashmë Juve është kthyer si fuqia kryesore në Itali dhe është në rrugë për titullin e tretë radhazi në kampionatin italian. Në ndeshjen e fundit, bardhezinjtë triumfuan me rezultat 3-1 pikërisht kundër zikaltërve.

“Ndeshjet ndërmjet Interit dhe Juventusit nuk duhet të quhen më Derby i Italisë. Është ofenduese.

Ky emërtim është aplikuar gjatë kohës kur Juventusi dhe Interi ishin skuadrat më të mira në Itali. Aktualisht, është vetëm Juventusi. Interi e ka humbur përparësinë që pati pas Kalçiopolit. Tani ata janë 26 pikë prapa Juventusit. Ata i janë kthyer nivelit të tyre të zakonshëm para Kalçiopolit”, u ka thënë Moxhi gazetarëve.