Ronaldo: Do të jetë e martë magjike, ja si do ta përmbysim Volfsburgun
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kristiano Ronaldo ka besim se Reali do ta përmbysë Volfsburgun dhe do të vazhdojë rrugën në Ligën e Kampioneve. Ylli portugez mendon se e marta do të jetë një mbrëmje magjike dhe shpreson që të ketë sa më shumë tifozë në stadium.
"E dimë që është një ndeshje shumë e vështirë sepse Volfsburgu luan shumë mirë dhe është i fortë. Të gjithë kanë besim, duke filluar nga trajneri dhe deri te lojtarët", shtoi mesfushori portugez. Ronaldo zbulon disa nga mënyrat se si mund të përmbyset një sfidë e tillë.
"Duhet të bëjmë ndeshjen perfekte në të gjitha aspektet. Duhet ta kemi zemrën të ftohtë në shumë momente dhe të kemi durim. Duhet të dimë edhe të vuajmë, por shpresoj që në fund të triumfojmë. Kalimi për në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve është objektivi kryesor i Realit", ka thënë Ronaldo. Madrilenët humbën 0-2 në Gjermani përballë Volfsburgut, por mendojnë se në "Bernabeu" mund të bëjnë mrekullinë.