Rikthehet Veliaj, pritet edhe Zefi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Laçi mori një barazim me vlera në transfertë ndaj Vllaznisë, në një ndeshje të luftuar në fushën e blertë, por që në fund nuk nxori fitues. Nisur nga mungesat e shumta, trajneri Nica kishte ndërtuar një formacion më së shumti mbrojtës.
Kjo u vu re nga numri i tyre në fushën e lojës. Në fund, trajneri durrsak u shpreh i kënaqur për arritjen e këtij qëllimi dhe tashmë do të zbresë në fushën e blertë së bashku me ekipin për të nisur përgatitjet për një tjetër ndeshje të vështirë, atë ndaj Skënderbeut kryesues, që bardhezinjtë e luajnë në shtëpi, ndryshe nga përballja e fazës së parë që u zhvillua në stadiumin "Kastrioti" të Krujës dhe përfundoi 0-3 në favor të korçarëve.
Tashmë luhet një tjetër përballje, ku kurbinasit synojnë të marrin pikët e para ndaj Skënderbeut, për të vijuar një kampionat të qetë. Objektivi "Europë" nga kampionati është vështirësuar së tepërmi për Laçin, që tashmë kërkon pikët e qetësisë dhe, më pas, të jetë i gatshëm e të luajë pa presion në sfidat gjysmëfinale të kupës që zhvillohen në prill.
Lajm i mirë për Laçin do të jetë rikthimi i kapitenit Emiljano Veliaj, i cili mungoi ndaj Vllaznisë për shkak të plotësimit të kartonëve të verdhë. Gjatë kësaj jave do të nisë përgatitjet edhe mesfushori Alfred Zefi dhe pritet të shihet përmirësimi i gjendjes së tij për të përcaktuar se kur do të jetë i gatshëm për lojë. Gjithashtu do të shihet edhe rikuperimi i shkodranit Gocaj, i cili u dëmtua para ndeshjes me Vllazninë të shtunën.