Revolucion tek Elbasani, Bashkia në krye të klubit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Arben Laze, Qazim Sejdini dhe Gen tian Çërraga kanë pasur një takim final ditën e djeshme për sa u përket aksioneve të Elbasanit.
Tre aksionarët, që prej vitesh janë financuesit e kësaj skuadre, kanë dalë në një konkluzion të përbashkët, ku përfundimisht 8.69% të aksioneve të Gentian Çërragës kanë dalë në shitje.
Burime të sigurta pranë klubit verdheblu konfirmojnë për "Panorama Sport" se palët kanë rënë dakord në një pikë: të gjithë duhet të japin kontributin e tyre për të shpëtuar fillimisht skuadrën dhe më pas të punojnë për rimëkëmbjen e klubit.
Aksionet
Gazeta arrin të sigurojë edhe ofertën që Gentian Çërraga i ka bërë aktualisht dy aksionerëve të klubit, Bashkisë Elbasan dhe Arben Lazes, ku në bazë të ligjit u takon ortakëve e drejta e parablerjes. Nga sa mësohet rreth mbledhjes që u bë midis krerëve të klubit, Bashkia Elbasan është e gatshme të blejë këto aksione në vlerën e rreth 80 milionë lekëve të vjetër dhe kur kjo të ndodhë, atëherë ky institucion merr automatikisht edhe administrimin e klubit duke kaluar në shumicë. Në këtë mënyrë, presidenti Arben Laze kalon në pakicë duke humbur menaxhimin e klubit pas më shumë se një dekade. Kjo shihet si zgjidhja më imediate në kushtet që ndodhet klubi. Pak vite më parë, Çërraga i pat falur klubit një pjesë të aksioneve, saktësisht 11.25% dhe tani pjesa e mbetur ka dalë në shitje sipas vlerës nominale të tyre. Aktualisht, Laze ka 45.96%, Bashkia Elbasan 45.35% dhe Gentian Çërraga 8.69% të aksioneve.
Këshilli Bashkiak
Për t'u bërë kalimi i aksioneve edhe në mënyrë ligjore, duhet që fillimisht Këshilli Bashkiak të japë aprovimin e tij për blerjen e këtyre aksioneve. Burime të gazetës pohojnë se në mbledhjen më të afërt, atë të datës 24 shkurt, pritet të diskutohet rreth kësaj çështjeje. Megjithatë, duhet thënë se për momentin nuk është parashikuar në rend dite, sepse zhvillimet kanë ndodhur gjatë orëve të fundit. Po shihet mundësia për ta futur në rend dite, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë thjesht do të hidhet për diskutim. Pra, nëse nuk miratohet në mbledhjen e këtij muaji të Këshillit Bashkiak blerja e këtyre aksioneve për shkak të procedurave, e sigurt duket se do të ndodhë në mbledhjen e ardhshme.
Përgatiti: VLADIMIR MEMA