Laçi, Laska hap dyert e stadiumit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Laçi i drejtuar nga Stavri Nica rikthehet të luajë në kampionat, teksa nesër pret Bylisin. Në kampin bardhezi po punohet me intensitet të lartë, teksa dje e gjithë vëmendja ishte e përqendruar te taktika që pritet të shpalosë formacioni kurbinas në fushë.
Java nisi me ndeshjen e dytë të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, të cilën Laçi e zhvilloi të mërkurën në Tiranë ndaj Partizanit, ndërkohë që pas kalimit në gjysmëfinale, duket se e gjithë vëmendja është fokusuar te ndeshja e kampionatit.
Për gati dy orë futbollistët janë parë të kryejnë një sërë veprimesh. Prioritet në gjysmën e dytë të saj iu kushtua kontaktit me topin, aty ku Nica dhe ndihmësit e tij u kërkuan futbollistëve të këmbëngulin për të rritur treguesit tekniko-taktikë. Edhe pse në këtë fazë të garës, Nica e ka gati detyrim të shohë, përpilojë e më pas të vendosë për zgjedhjet e reja. Organika e Laçit pësoi disa ndryshime këtë vit kalendarik, por një hall më shumë për stafin mbeten dëmtimet e disa sportistëve.
Gjithsesi, te Laçi janë optimistë se ndeshja e radhës do të kalohet me sukses. Ka qenë vetë presidenti i klubit, Pashk Laska, i cili dje ka thënë ndër të tjera se pret që të shohë në fushë një skuadër të mirëpërgatitur dhe të aftë për të marrë rezultat pozitiv. Kreu i klubit, shtyrë dhe nga kalimi i skuadrës së tij në gjysmëfinale, beson se Laçi i tij do t'i shfrytëzojë në maksimum ndeshjet e parashikuara në kalendar për t'i dhënë një tjetër marsh vendosjes përfundimtare të bardhezinjve në tabelë.
"Kalimi i skuadrës mes katër më të mirave të Kupës përbën një arritje dhe për këtë i kam falënderuar futbollistët e stafet për punën e bërë. Do të pres me qetësi shortin. Nuk kam preferenca për emrin e kundërshtarit, por kam një preferencë tjetër që lidhet me vazhdimësinë. Skuadra dhe stafi teknik janë porositur që të bëjnë kujdes me ndeshjet e kampionatit dhe se ndaj çdo kundërshtari duhet të japin më të mirën.
Hapi i parë ka të bëjë pikërisht me mbështetësit e skuadrës dhe ne do të krijojmë mundësinë për ta ndjekur ekipin në shkallë falas. Ndeshja e ditës së diel do të jetë gratis për ata dashamires që do të preferojnë karshitë. Pres një skuadër kompetitive dhe të denjë në fushë", u shpreh kreu i klubit bardhezi.
Përgatiti: Isuf Myrtaj