e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Revolta e tifozeve te kuq, zbardhen debatet me Prodanin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Revolta e tifozeve te kuq, zbardhen debatet me Prodanin

Ndonëse kanë kaluar ditë nga humbja në derbi, tifozët e Partizanit mbeten stoik në mendimet e tyre se ndaj Tiranës skuadra ka toleruar. Debati më i ndezur po zhvillohet në rrjetet sociale, ku nga të kuqtë personi që është shprehur i gatshëm të replikojë, por edhe t’i sqarojë tifozët, është drejtori i përgjithshëm, Eduard Prodani. Në profilin e tij në “Facebook” ai ka postuar deklaratat e fundit të klubit që kanë të bëjnë me zhurmën e prodhuar para dhe pas derbit. Ndonëse ndihet revolta e tifozëve, Eduard Prodani me qetësinë e tij ka treguar gatishmëri që t’i përgjigjet pjesës më të madhe të pyetjeve të komentuesve. Kritikat e tifozëve dhe dashamirësve të Partizanit kanë qenë të gjithanshme, duke mos rezervuar askënd në kritika, madje edhe presidentin Demi.

Por Prodani ka dhënë sqarimet për çdo rast, ndërsa u ka premtuar atyre se është fat për Partizanin që ka një njeri si Gaz Demi, i cili është i duhuri që legjenda të kthehet në vendin që i takon. Në këtë bashkëbisedim me tifozët drejtori Prodani ka sqaruar edhe disa detaje të tjera që kanë pasur të bëjnë me afrimet dhe largimet e lojtarëve gjatë merkatos së verës dhe dimrit. Sipas Prodanit, Partizani është bërë nga një klub që refuzohej nga lojtarët, në një skuadër që lakmohet nga të gjithë, si brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Në komentet dhe pyetjet e tifozëve nuk kanë munguar edhe irritimet e mallkimet, por në fund Eduard Prodani u është përgjigjur: “Zoti ja dhëntë gjithkujt për çfarë ka bërë dhe për çfarë e kanë gjykuar të tjerët”.

PJESË NGA DEBATI I PRODANIT ME TIFOZËT NË “FACEBOOK”

Ilir Wi - Ju po talleni me tifozët e Partizanit, Z. Prodani. Me sa duket ju dhe drejtuesit nuk e keni idenë ç’do të thotë Partizani?

Eduard Prodani - Ti nuk ke shans të më thuash mua që nuk e kam “idenë se ç’do të thotë Partizani”. Po mjaftohem të të them se është trashëgimi familjare. Njerëz të familjes time e kanë bërë atë emër legjendën që njeh ti sot. Unë vetë jam rritur atje.

Ilir Wi - Atëherë pse e katandisët Partizanin të humbasë në atë mënyrë të turpshme? Respekt zotëri meritojnë vetëm tifozët e Partizanit, që nuk e kanë shitur asnjëherë, por e ndoqën dhe kur luante me Këlcyrën, aty ku e çuan drejtuesit.

Eduard Prodani – Pse nuk më pyet se si shpëtoi nga shkrirja 2 vjet më parë? Apo si u ngjit në Kategori të Parë dhe më pas në Superiore? Po vendin e dytë në kampionat si e zuri? Si erdhi që të pretendojë për kampion kur ende s’ka fushë ku të stërvitet? Si u bë në 3-4 muaj nga një ekip që ju lutej lojtarëve të vijnë, në një ekip ku lojtarët tashmë luten të vijnë? Ka dhe shumë gjëra të tjera, që mund të pyesësh para se të pyesësh se si humbi një ndeshje nga 15 të tjera që kanë mbetur? Pyet edhe për ndeshjen e fazës së parë po deshe.

Ilir Wi - Tifozët e Partizanit janë mirënjohës zotëri, dhe kur është për faleminderit e kanë thënë hapur si për ju dhe për gjithë drejtuesit. Por edhe ju duhet të mirëprisni kritikat ashtu si falënderimet. Nuk është problem se humbi një ndeshje, por si e humbi. Nëse juve ju kënaq mënyra se si humbëm, mua jo zotëri.

Eduard Prodani - Kritika për gabime dhe gjëra që mund të bëhen më mirë personalisht pranoj çdo ditë. Nuk pranoj në asnjë rast të akuzoni për gjëra që unë s’i kam bërë dhe s’do t’i bëj kurrë. Zoti le të na gjykojë të gjithëve, sipas asaj që kemi bërë.

Goni Juventus - Drejtor në qoftë se lojtaret luten për të ardhur tek ne, atëherë ku janë? Do të doja që të gjithë drejtuesit e Partizanit të ishin si ju, por janë disa që e shikojnë vetëm si biznes. Respekt maksimal për ju.

Eduard Prodani - Ajo është pyetje pa kuptim. Partizani ka sot të federuar 10 lojtarë të huaj, kur vetëm 4 lejohen që të luajnë.

Goni Juventus - Pse i morët të huajt? Më mirë merrnit shqiptarët që luten të vijnë tek ne.
Eduard Prodani - Shqiptarët do ishin të preferuar, po cilët janë? Më thuaj një rast dhe të përgjigjem me 100% transparencë.

Ilir Wi - Nuk është personale me ju zotëri. Pse e larguat Malon dhe sollët këta të huajt që të gjithë pa përjashtim janë për të luajtur me Tepelenën e jo për Partizanin?
Eduard Prodani - Malon nuk e përzuri njeri. Kërkoi largimin, sepse nuk ju dha hapësirë. Po të kishte qëndruar në ekip, mund të kishte luajtur në derbi, pasi ekipi kishte shumë probleme formacioni.

Goni Juventus - Ju thatë që luten të vijnë tek ne dhe ju duhet të na e thoni se cilët janë? Dhe njëherë nuk jam kundër jush dhe ju respektoj shumë, por të tjerët në krye të klubit nuk duhet të tallen me ne, sepse do të bëhen pishman.

Eduard Prodani – Luten nga Kosova, Maqedonia, Kroacia, Serbia etj., etj. Ka pasur dhe 2-3 mundësi nga Shqipëria, por ishin raste që i kishin lëshuar klube te tjera dhe kërkonin të vinin tek ne.

Ronaldo Daja - Të ishte presidenti jonë sa gjysma juaj Z.Prodani me siguri që rezultati në derbi do ishte shumë ndryshe. Në derbi kam parë një ekip pa asnjë lidhje me Partizanin, përjashto kapitenin Hoxha dhe Demirin, që Hasani e ndërron sipas qejfit. Respekte.

Eduard Prodani - Faleminderit, por nuk mund të jem dakord. Më besoni kur ju them që ishte fat i madh që Partizani ra në dorë të Gazit. Është i vetmi që mund ta bëjë Partizanin siç e duam ne të gjithë. Jam krejt i sinqertë në këtë që them. Koha do ta provojë.

Gazi Fotografi Tarba - Po ti jepnit më shumë hapësirë Malos ai nuk do të kërkonte kurrë të ikte. Me sa kam parë, ka luajtur me shpirt për fanellën e kuqe. Pse nuk afruat ish-lojtarët që ndodhen në ekipe të tjera. U fol se do të vijë Batha, por u shokova kur shkoi te Teuta. Të paktën gjeni një trajner, që i dhemb fanella e kuqe. Duro ishte ideal, por e larguar kot para një viti. Nuk do të them jo as për Skënder Gegën. Pra, merrni trajnerë që vijnë nga shkolla jonë ose të huaj. Për ju kam respekt si drejtues dhe si tifoz, por ama derbi i lënë, nuk po them i shitur. Këtë nuk duhet ta mohoni, mbase ti personalisht nuk e di nga erdhi tradhtia, por duhet ta gjeni.

Eduard Prodani - Po përgjigjem me 100% transparencë siç premtova. Me Bathën jam marrë personalisht gjatë verës edhe tani në janar. Ka thënë gjithmonë se do të vijë te Partizani, por në fund i është bindur gjithmonë Besës dhe nuk erdhi. Arsyet pse ka vepruar kështu janë gjëra private të tij, por e vërteta është kjo që them unë. Sa për hapësirat që thua se i duheshin dhënë Malos, nuk mund të shprehem, sepse ato janë gjithmonë zgjidhje të trajnerëve. Unë mund të kem mendimet e mia, por barrën dhe pushtetin e ka gjithmonë trajneri, kushdo qoftë. Ne nuk jemi klub province që t’i imponohemi trajnerit në zgjidhjet teknike. Duro dhe Gega janë figura dhe njerëz të familjes “Partizani”, por aktualisht janë nëpër punët e tyre dhe ndoshta do të vijë një ditë që edhe ata të jenë në gjirin e klubit.

Keli Gonzalez - Z, Prodani është 2014-ta, nuk ka më budallenj, por ju të keni turp për çorbën e gatuar. Hakat e sakrificat e tifozëve jua ktheftë Zoti bakshish te njerëzit e shtëpisë.

Eduard Prodani - Jam dakord me ty. Zoti ja dhëntë gjithkujt për çka ka bërë dhe çka e kanë gjykuar të tjerët.


Keli Gonzalez - Pse të djeg ty, ajo vlen veç për ata që u bënë pjesë e atij falsiteti. Aq e sigurt ishte fitorja e Tiranës sa kompanitë e basteve e hoqën nga kuotimi.


Eduard Prodani - Mua nuk më djeg dhe jam fare i qetë. Por mendoj se është keq dhe gjynah të thërrasësh Zotin në kauze dhe t’ju dëshirosh të keqen te njerëzit e shtëpisë për gjëra që ndodhin në një ndeshje futbolli dhe për më tepër ti nuk i di me siguri se sa e si qenkan fajtorë ata njerëz. E kuptoj qe je i zemëruar. Jam i sigurt që do të të vijë keq dhe do pendohesh kur të qetësohesh. Ti je i bindur se ndeshja ishte e trukuar, sepse kështu të është mbushur mendja. Mbaj mend që vjet na akuzuan për ndeshjen ndaj Himarës që e kishim shitur. Kurrë nuk qe e vërtetë. Barazuam në fund dhe ishte një rast fare i paparagjykueshëm në fund për fitore. Shpesh gjërat nuk janë si duken në pamje të parë.