e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Fulhemi konfirmon krizen e 'djajve'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fulhemi konfirmon krizen e 'djajve'

Edhe Fulhemi del nga tempulli i kampionëve duke buzëqeshur. Për shumë kohë, ky dukej se do të hynte në kalendar si një prej sezoneve më të vështirë të Mançester Junajtid. Por, me Matën, Runin dhe Van Persin në fushë, kundër skuadrës së fundit të Premier Ligës që kishte grumbulluar vetëm 1 fitore në 8 ndeshjet e fundit, banda e Mojesit kaloi një tjetër mbrëmje të errët në “Teatrin e Ëndrrave”.

Deri të mërkurën kur të vizitojë Arsenalin, në kokën e skocezit do të vërtiten hijet e dyshimeve dhe pikëpyetjeve se si është e mundur që, pas golit të Stiv Siduellit, skuadra e tij i përgjigjet me Van Persin dhe Karrikun për 80 sekonda në finale dhe sërish ndëshkohet në minutën e 94-ët nga një goditje me kokë e Bentit. Dhe tani ai vetëm mund të mendojë për Ligën e Europës, sepse 9 pikë larg Liverpulit të vendit të 4-ët janë me të vërtetë shumë. Goli i barazimit të Van Persit erdhi nga vetëm dy hapa pas devijimit të goditjes së Matës, ndërsa përmbysja e Karrikut nga një goditje spektakolare nga 20 metra, duke e dërguar skuadrën dhe “Old Trafford”- in në një delir që tregon pastër dëshpërimin e thellë ku ka rënë skuadra. Zilja e alarmit, e cila ka rënë shumë herë këtë sezon, ra në minutën e 19-të. Fletçer i përgjumur harron të ndjekë valën e lojtarëve të Fulhemit që po hyn në zonë.

Ljuis Holtbi shikon Siduellin që shkëputet i pashqetësuar në zemër të mbrojtjes së “djajve” dhe mesfushori lë të palëvizur De Gean me një ekzekutim perfekt. Vendësit shpërdorojnë një rast të artë, kur krosimi i Rafaelit përfundon në të majtën vrasëse të Van Persit, por holandezi godet në mënyrë të tmerrshme nga vetëm dy metra. Porta e Fulhemit shndërrohet në një fushëbetejë të vërtetë, ndërsa Mojes nuk mund ta shohë më ndeshjen i ulur. Skocezi shikon i shqetësuar goditjen fluturimthi të Karrikut që përfundon jashtë shtyllës së majtë të Stekelenburgut dhe Runin, Van Persin, Jangun e Vidiçin që dështojnë t’i materializojnë rastet e tyre. Një nga këto aksione tregoi se nuk do të ishte dita e Junajtid: Karrik lëshon një silurë që shpëtohet nga Stekelenburg, goditja e Van Persit devijohet në goditje këndi, ndërsa gjuajtja e pastër e Vidiçit me kokë përfundon direkt e në duart e portierit. Përpara këtyre, Fulhemi duhet të kishte dyfishuar rezultatin dhe telashet e Mançesterit. Nga një goditje këndi Kieran Riçardson nis Tankoviçin dhe sulmuesi vrapon 70 metra për t’ia rikthyer topin Riçardsonit, por mesfushori i majtë nga shumë pranë portës gabon fatalisht.

Ky rast i dha Mojesit mundësinë që ta karikonte skuadrën në dhomat e zhveshjes, që në pjesën e parë kishte hedhur 46 krosime në zonën e londinezëve. E njëjta pamje edhe pas rikthimit në fushë. Rafael dërgon jashtë një tentativë nga e djathta përpara se skuadra të zbatonte në fushë një gjeometri të vërtetë: Mata, i cili dukej i eklipsuar në të djathtë, nis një diagonale nga 40 metra, që gjen Van Persin në të majtë. Ai fton Runin, por numri “10″ është i pafat, që nuk e arrin të lidhet me topin e holandezit. Tifozët e ndjejnë se goli është çështje kohe, kur sulmuesi liverpulas i mohohet goli vetëm prej reflekseve të Stekelenburgut, njeriut të ndeshjes. Ishte sërish holandezi ai që e shpëtoi Fulhemin nga një goditje me kokë e Rafaelit, duke shqetësuar Mojesin, i cili pas një ore lojë largon Fletçerin për Januzaj. Hyjnë edhe Hernandez për Jang dhe Valencia për Rafael. Kampionët japin gjithçka, por që në fund provoi se nuk mjaftonte për të marrë 3 pikët.


Totenhemi - Një goditje e Emanuel Adebajorit ishte gjithçka ndau Totenhemin dhe Evertonin në “White Hart Lane”, ndërsa skuadra e Tim Sherudit u mori liverpulasve vendin e pestë. Një top i rivënë shpejt në lojë pas një faulli nga Kajl Uokeri në minutën e 65-të, gjeti Adebajorin, i cili kontrollon topin edhe me ndihmën e Beinesit lëshon një të majtë që nuk i lë shanse Hauardit. Evertoni ishte skuadra më e mirë në pjesën e parë me 8 goditje drejt portës ndaj 3 të vendësve, por miqtë nuk e mposhtën dot Hugo Lorisin dhe në dhomat e zhveshjes shkuan në barazim pa gola. Spërsat u përmirësuan në pjesën e dytë, duke marrë dhe një fitore vitale ndaj rivalëve direkt për vendin e fundit që të dërgon në Champions. Për sulmuesin, ishte goli i 6-të në 9 ndeshjet e tij në Premier Ligë këtë sezon. Togolezi, i cili shënoi dhe golin e parë në “White Hart Lane”, duket i rilindur nën urdhrat e trajnerit të ri. Veç 3 pikëve, inkurajuese për skuadrën e Sherudit ishte dhe prezenca e trajnerit të kombëtares Roi Hoxhson në tribunë, por edhe rikthimi i Andros Taunsendit pas dy muajsh dëmtim.

Mojes: Nuk e kuptoj si nuk e fituam


Dejvid Mojes vazhdon të mos e kuptojë se si Mançesteri i tij vijon të mos fitojë duke qenë dhe skuadra më e mirë në fushë. “Kështu ka qenë thuajse gjatë gjithë këtij sezoni. Por me Fulhemin ishte edhe më e dukshme, sepse ne i dominuam. Numri i goditjeve në portë dhe shanset që krijuam ishin të pabesueshme. Sesi nuk fituam dot, unë nuk arrij ende ta kuptoj. Në fund janë golat ata që kanë rëndësi. Mund ta kontrollosh topin sa të duash. Duhej të kishim shënuar më shumë se dy gola. Lojtarët punuan shumë, por golat nuk erdhën. Jam i zhgënjyer që nuk e bëmë dot 3-1. Goli i Bentit ishte një pakujdesi e mbrojtjes. Ishte krejtësisht një top i largueshëm nga zona.Pasuam, krosuam, krijuam, bëmë gjithçka dhe e merituam ta fitonim ndeshjen, por jo gjithnjë ti merr atë që meriton”, – tha skocezi në përfundim të ndeshjes. I pyetur nëse Junajtid do t’ia dalë të renditet mes 4 vendeve të para, menaxheri mjaftohet vetëm me: “Do të bëjmë më të mirën”.
“Vrasësit” e Junajtid: Tani duam të shpëtojmë


Darren Bent ka shënuar 4 gola në “Old Trafford”, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e Premier Ligës. Por ai i barazimit në minutën e 4-t të shtesës me Fulhemin mund të shërbejë si pika e kthesës së sezonit të londinezëve. “Skuadra punoi shumë në pjesën e parë dhe kur përmbysesh 2-1 në një stadium si ky, është shumë e vështirë të reagosh. Por ne nuk u dorëzuam dhe pritëm rastin e parë që do krijonim për t’i ndëshkuar. Fatmirësisht ai erdhi në minutën e fundit dhe duket si një fitore morale. Shpresoj që kjo ndeshje të shërbejë si pika e kthesës”, – u shpreh sulmuesi, fjalëve të të cilit iu shtua dhe autori i golit të parë, Siduell. “Është një pikë mjaft e rëndësishme. Jam pa fjalë. Dhamë gjithçka dhe morëm një pikë me shumë fat, por të merituar. Shpresoj të na ndihmojë në pjesën e mbetur të sezonit për të shpëtuar”, – deklaroi kapiteni.