Rekord tjeter i Mesit, merr 'Kepuca e Arte'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Leo Mesi ka fituar tashmë për të tretën herë “Këpucën e Artë” dhe me të ai vendos një rekord të ri. Sulmuesi i Barcës e ka marrë zyrtarisht këtë cmim individual të mërkurën në Barcelonë, teksa është laureuar si golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar (2012-2013) në të gjitha ligat evropiane. Numri 10 i katalanasve e përfundoi sezonin në fjalë me 46 gola, të cilët e bëjnë atë golashënuesin më të mirë në La Liga dhe në Evropë. Argjentinasi e fiton për herë të tretë “Këpucën e Artë”, pasi e kishte bërë këtë në sezonin 2009-2010 me 34 gola dhe sezonin 2011-2012 me 50 gola. Ceremonia e dorëzimit të trofeut u mbajt pasditen e së mërkurës në “Antigua Fábrica de Estrella Damm”, një vend që tashmë është bërë i zakonshëm për çmimin, i cili ishte i tejmbushur nga mediat. Përveç një përfaqësimi të gjerë të familjes së tij , Mesi ishte i shoqëruar në këtë akt nga përfaqësues të klubit, si presidenti Sandro Rosell, zëvendëspresidenti Josep Maria Bartomeu dhe lojtarë të skuadrës katalanase: Pyjol, Ksavi, Fabregas, Adriano, Pinto, Pike dhe Jordi Alba, si dhe trajneri Martino. Deri më sot, Mesi është lojtari i vetëm që e ka fituar tri herë këtë trofe. Pasues të tij me nga dy “Këpuca të Arta” janë Eusebio, Gerd Muller, Dudu Georgescu, Fernando Gomes, Ally McCoist, Mario Jardel, Thierry Henry, ndër të tjerë. Nga lojtarët aktivë, gjithashtu, kemi me nga dy trofe të tillë Kristiano Ronaldon dhe Diego Forlan. Me pak fjalë, Mesi ka thyer sërish një tjetër rekord. “Këpuca e Artë” që mori në dorëzim këtë të mërkurë, i treti i tillë, është i përbërë prej tri shtresash ari.
Mesi: Qëllimi im është të rikthehem në fushë
Leo Mesi foli për shërimin e tij gjatë marrjes në dorëzim të “Këpucës së Artë”. “Ajo që dëshiroj më shumë tani është rikthimi në fushat e lojës, duke luajtur me Barcelonën. Nuk mund të them një datë se kur mund të ndodhë kjo, pasi duhet të shohim si do të shkojë rikuperimi. Duhet të kalojnë ditët dhe kur mjekët të më japin garanci, atëherë do të rikthehem, – tha argjentinasi. – Fokusi im është për të forcuar tërë trupin, në mënyrë që të tilla lëndime të mos më ndodhin përsëri.”
Sa për cmimin e fituar, sulmuesi argjentinas ua dedikoi njerëzve që e duan dhe bshkëlojtarëve, me të cilën luan te Barcelona: “Këpuca e Artë” nuk ka qenë kurrë qëllimi im as kur isha mirë, aq më pak tani që ndodhem jashtë fushave të lojës. – Megjithatë, është një çmim shumë i mirë dhe vjen si mirënjohje e asaj që ka ka bërë ekipi im vitet e fundit. Pra, e vlerësoj një çmim për grupin, më shumë se sa për individin.”
Së fundi, Leo Mesi komentoi edhe mbi debatin e famshëm për stilin e lojës së Barcelonës: “Ne kemi kohë që luajmë në këtë mënyrë, tashmë kemi nisur të flasim edhe në lidhje me filozofinë e Barcës. Unë mendoj se nuk e kemi humbur filozofinë e të luajturit, sepse jemi rritur si një ekip. Nëse aplikojmë më shumë variante, kjo nuk do të thotë se nuk përpiqemi për të respektuar stilin e Barçës.”
“Këpuca e Artë”, renditja
1. Leo Mesi: 46 gola (92 pikë)
2. Kristiano Ronaldo: 34 gola (68 pikë)
3. Edinson Kavani: 29 gola (58 pikë)
4. Radamel Falkao 28 gola (56 pikë)
5. Robin Van Persi: 26 gola (52 pikë)