Magjite e CR7-s, ndryshojne planet e FIFA-s
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kristiano Ronaldo tani është kandidati kryesor për të fituar “Topin e Artë 2013”. Pak rëndësi ka se për kë është votuar deri dje nga kapitenët dhe trajnerët e kombëtareve apo gazetarët e përzgjedhur nga “France Football”, pasi votimi është rihapur nga e para dhe gjithçka po shkon në favor të yllit portugez.
Pas magjive të kapitenit të Portugalisë në sfidën kundër Suedisë, duket se edhe FIFA, “armiku i madh” i lojtarit, është dorëzuar dhe tashmë po bën çmos të ndihmojë atë të marrë një trofe, që në vitet e fundit dukej se nuk do të shqitej më nga duart e Lionel Mesit. FIFA kishte mbyllur votimet më datë 15 nëntor, por që të martën në darkë u bë e ditur se votimi ishte rihapur edhe për 9 ditë të tjera, gjatë të cilave, edhe ata që kishin votuar më parë, mund të ndryshonin preferencën e tyre. Sipas institucionit që drejton futbollin botëror, shkaku kryesor ishte pjesëmarrja e ulët në votime. Por thuajse të gjithë janë të bindur se vendimi është marrë për të ndihmuar portugezin që, pas kësaj paraqitjeje magjepsëse, të kalojë në preferencat e votuesve atë që deri dje shihej si favoriti kryesor, francezi Frank Riberi.
Nëse ky i fundit thjesht ka bërë detyrën me Francën duke e ndihmuar të kualifikohet në Botëror ndaj Ukrainës, Ronaldo dominoi përballë një rivali të drejtpërdrejtë, Zlatan Ibrahimoviçin, duke shënuar 4 gola në dy ndeshjet ndaj suedezit. Në një garë ku diferenca mes tij dhe Riberi dukej të ishte minimale, me rivotimin, tani të gjithë janë të bindur se Ronaldo është favoriti kryesor për të fituar “Topin e Artë”, 5 vite pas suksesit të parë individual të tij, para se bota të përballej me uraganin Mesi.
Kompanitë e njohura të basteve sportive në botë janë aq të bindura se Ronaldo do të marrë “Topin e Artë”, sa tashmë koeficienti i tij është ulur nga 11 në 1.4 brenda një jave. Fakti që ai nuk ka fituar asnjë trofe gjatë këtij viti në krahasim me Mesin apo Riberinë, nuk merret më për bazë, duke parë formën e jashtëzakonshme që po kalon. Mjafton të shohësh statistikën e frikshme të golave të shënuara nga gushti deri tani, ku portugezi ka gjetur rrugën 31 herë, më shumë se dyfishi i golave të shënuar bashkë nga Mesi dhe Riberi (13), për ta kuptuar se sa dominues është Ronaldo në lojën e tij.
Ndërsa e gjitha bota përulet para magjive të tij, Ronaldo këtë radhë ka vendosur të luajë rolin e modestit dhe pas suksesit të rëndësishëm ndaj Suedisë, ka folur më shumë për kombëtaren e tij sesa për arritjen individuale të barazimit të rekordit të 47 golave të Pauletës. “Portugalia e meritoi kualifikimin, ishim fitues të merituar në të dyja ndeshjet dhe mendoj se ka ardhur koha t’ua dedikojmë suksesin të gjithë portugezëve. Blater? Unë përgjigjem në fushë, përgjigjet e mia janë aty. Çdo vit kam treguar atë që di të bëj. Kam bërë 40 apo 50 gola në sezon dhe kjo nuk është se bëhet nga të gjithë. Por nuk jetoj i fiksuar pas “Topit të Artë”, ishin fjalët e portugezit.
I pyetur se si ka mundësi që Portugalia në “epokën e Ronaldos” ka arritur të shkojë në tre botërorë dhe në po aq europianë, ndërsa kur nuk ishte ai, kishte provuar vetëm dy herë Botërorin, ylli i Real Madridit është përgjigjur se diçka e tillë është thjesht koincidencë. “Portugalia e meriton plotësisht atë që ka arritur, pasi është një ekip i madh. Kjo është thjesht koincidencë”, tha Ronaldo para mediave në fund të ndeshjes, ku ai thuajse siguroi “Topin e Artë” të dytë të karrierës së tij. Tani mbetet të mësohet nëse portugezi do të insistojë në bojkotimin e ceremonisë së dhënies së këtij trofeu, ashtu siç kishte aluduar se do të vepronte pak ditë më parë, kur favoriti për “Topin e Artë” ishte ende Frank Riberi.
Thanë për Kristiano Ronaldon dhe garën e “Topit të Artë”
Isko, Real Madrid
“Është e jashtëzakonshme të luash përkrah me futbollistin më të mirë në botë, që më ndihmon në çdo seancë stërvitore, pasi dëshiron të fitojë gjithmonë, dëshiron të jetë gjithmonë e më i mirë.”
Sep Blater, FIFA
“Urime Portugalia, paraqitje fantastike e Kristiano Ronaldos.”
Luis Figo, ish-futbollist, Portugali
“Kristiano është spektakolar. Të shënosh tre gola në një ndeshje kaq vendimtare si kjo është fantastike. Jam shumë i lumtur që Portugalia do të shkojë në Botëror.”
Sandro Roselli, presidenti i Barcelonës
“Unë në vendin e parë do të vija Leon, në të dytin Leon dhe në të tretin Leon. Pastaj vijnë Çavi e Iniesta dhe në vendin e gjashtë është Buskets. Nëse njerëzit injorojnë trysninë politike dhe mediat, atëherë ‘Topi i Artë’ duhet t’i shkojë Mesit.”
Ditmar Haman, ish-futbollist, Gjermani
“Më duket e çuditshme që ka 20 lojtarë në garë për t’u bërë më i miri në botë. Mund të duket e mërzitshme, por është e pakundërshtueshme që Ronaldo dhe Mesi janë shumë më lart se çdokush tjetër në botë aktualisht. Unë mendoj se Riberi nuk duhet të merret në konsideratë, edhe pse fitoi tri trofe në sezonin kaluar. Nëse sheh statistikat, nuk është se Ronaldo e Mesi shënojnë 2-3 gola më shumë, ata shënojnë 25 apo 30 gola më shumë se Riberi apo çdokush tjetër.”
Çavi, Barcelona
“Mesi e ka fituar katër vite radhazi trofeun. Ndoshta ai e meriton një tjetër. Nëse përzgjedhim më të mirin në botë, ai është padyshim Mesi. Por nëse flasim për më të mirin e vitit 2013, atëherë po që ka vend për debat.”