Trukimet, UEFA dyshon te kombetaret e moshave
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Futbolli shqiptar ka anomali të theksuara ose, më mirë, dyshohet për trukim, duke filluar që nga ndeshjet e kampionatit, pjesëmarrjet në Kupat e Europës dhe deri te përballjet që zhvillojnë kombëtaret e moshave (U17, U19 dhe U21). Dyshimi është bërë i qartë nga zëvendëssekretari i UEFA-s, Teodoros Teodoridhis, në takimin që pati në Prokurorinë e Përgjithshme. Rreth orës 11:15 të ditës së djeshme, ky i fundit është takuar me kryeprokurorin e Apelit dhe një nga zërat më kumbues kundër trukimit të ndeshjeve, Shkëlqim Hajdari, si dhe drejtorin e Hetimit, Adnan Xholi.
Burime të sigurta për “Panorama Sport” kanë zbardhur gjithçka që është folur në këtë takim, dhe që më pas nuk u deklarua për mediat vizive e të shkruara. Që në pikën e parë të takimit të djeshëm, iniciatori i ligjit me “këmbë të pastra”, z.Hajdari, i ka kërkuar zyrtarit të UEFAs që të ishte sa më i drejtpërdrejtë, me qëllim që edhe bashkëpunimi i mundshëm, i ardhshëm, të ishte më rezultativ.
Në këtë këndvështrim, Teodoridhis ka pohuar se Shqipëria aktualisht është në vend të parë në Europë sa u përket dyshimeve për trukime ndeshjesh, duke lënë pas vende si Moldavia, Armenia, Bullgaria, Greqia etj. Sipas Teodoridhis, nuk bëhet fjalë vetëm për ndeshje të kampionatit shqiptar, pra të klubeve, por më shqetësues është fakti se kjo “sëmundje” ka prekur edhe kombëtaret e moshave. Sakaq, duhet nënvizuar se në asnjë moment nuk është përmendur Kombëtarja e madhe, pra dyshimet për trukime nga ana e UEFA-s, sa i përket Shqipërisë, i shpëton aktualisht vetëm skuadra që drejtohet nga De Biazi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Prokurorisë, z.Hajdari dhe z.Xholi, kanë pritur me interes dhe i kanë garantuar zyrtarit të UEFA-s se do të merrnin në konsideratë dhe në shqyrtim, duke hetuar me themel çdo sinjalizim që do vinte nga qeveria e futbollit europian, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet njerëzore që disponon aktualisht institucioni i akuzës në vend. Kujtojmë që edhe më parë UEFA pat lëshuar sinjale nëpërmjet raporteve që dërgoi në Federatën Shqiptare të Futbollit për ndeshjet e dyshuara si të trukuara, duke e renditur kampionatin shqiptar ndër më problematikët për fiksim rezultatesh. Ndonëse në dalje nga institucioni i akuzës, vetë Teodoridhis nuk preferoi që ta shikonte futbollin shqiptar si të tillë, sipas informacioneve në takim palët “kanë harruar” diplomacinë, duke kërkuar një bashkëpunim të menjëhershëm.
“Nuk më pëlqen të bëj renditje sa u përket vendeve që dyshohen se kanë anomali në kampionatet e tyre, por mund të them që për momentin kemi marrë një përgjigje të mirë dhe gatishmëri për të parandaluar trukimin e ndeshjeve. Gjithsesi, duhet thënë se gjithçka mbetet për t’u provuar në të ardhmen, nëse do të ketë sinjalizime për ndeshje të trukuara dhe hetime të tyre apo jo”, theksoi zyrtari i UEFA-s në dalje nga Prokuroria.