e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

FIFA zgjat afatin e votimit per 'Topi i Arte'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
FIFA zgjat afatin e votimit per 'Topi i Arte'

FIFA ka vendosur që ta zgjasë periudhën e votimit për “Topin e Artë”, për shkak të një numri të ulët të përgjigjeve (votimeve) të bëra nga përfaqësues të caktuar. Afati i parashikuar kaloi të premten, por votuesit tashmë kanë kohë deri më 29 nëntor që të bëjnë zgjedhjen e tyre, për t’ia lënë më tej vendin procesit në fjalë, që do të kulmojë me laureimin e më të mirit në Zyrih, më 13 janar. Si pjesë e vendimit të FIFA-s, ata që kanë votuar tashmë janë në gjendje ta ndryshojnë zgjedhjen e tyre.

“Për shkak të numrit të ulët të përgjigjeve nga trajnerët dhe kapitenët e ekipeve kombëtare, si dhe përfaqësuesit e mediave, në mënyrë që të sigurojmë tërë votat e përfaqësuesve respektivë, FIFA dhe “France Football” e kanë zgjatur afatin për votim deri më 29 nëntor 2013, – tha zëdhënësi i FIFA-s. – Kapitenët e kombëtareve anëtare dhe përfaqësuesit e mediave, të cilët kishin qenë të ftuar për të votuar për çmimet e lartpërmendura, kanë qenë të informuar në përputhje me rrethanat. Edhe për ata që kanë votuar tashmë, zgjedhja mund të ndryshohet deri më 29 nëntor.”


Lajmi vjen pasi kapiteni i Portugalisë, Kristiano Ronaldo, një nga preferuarit për ta fituar këtë çmim, realizoi një “hat-trick” mahnitës kundër Suedisë, të martën në mbrëmje, duke siguruar kualifikimin e vendit të tij në finalet e Kupës së Botës 2014. Lionel Mesi, fituesi i “Topit të Artë” në katër vitet e fundit, aktualisht është i mënjanuar nga futbolli për shkak të një dëmtimi.