'Lojtare pa busull ndaj Gjermanise'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Anglia pëson humbjen e dytë radhazi gjatë përgatitjeve për Botërorin 2014, duke e mbyllur me turp këtë vit futbollistik. Edhe pse duhej të kishin dalë me një rezultat pozitiv përballë eksperimentit të trajnerit gjerman dhe për nder të 150-vjetorit të themelimit të federatës, ekipi i Hoxhsonit ka zhgënjyer ashtu si ndaj Kilit. Kundër Gjermanisë, trajneri i Anglisë luajti me formacionin më të mirë, por edhe pse dominoi lojën, përsëri ajo nuk mjaftoi për të dalë me rezultat pozitiv. Pas ndeshjes, Hoxhson ka përgëzuar lojën e kujdesshme të Gjermanisë, si dhe ka dhënë alarmin për shterpësinë e golave. “Mendoj se ishte një humbje e dhuruar.
Ne kemi ende nevojë për të rritur kualitetin tonë në aspekte taktike. Loja jonë nuk ishte në nivelet e duhura, dhe për këtë nuk jam vetëm unë fajtor. Kualiteti i pasimeve tona ishte në nivele shumë të dobëta. Ishim të pasaktë në pasime dhe në gjuajtje drejt portës. Mungoi përqendrimi dhe lidhja mes reparteve. Kurse gjermanët e kryen shumë mirë këtë pjesë dhe ne e paguam këtë çmim nga naiviteti ynë”, – nënvizoi Hoxhson, duke shtruar më tej. “Rrjedhshmëria e lojës sonë ishte shumë e vakët në gjysmëfushën e Gjermanisë. Nuk ishim efecientë në mbajtjen dhe qarkullimin e topit. M’u duk sikur skuadra ishte pa busull. Kjo do na shërbejë si një mësim për të ardhmen. Por, nuk më pëlqen të marr vetëm mësime të tilla, sepse tifozët nuk duan t’ia dinë. Është një zhgënjim si për ta dhe për ne që i humbëm dy ndeshjet e fundvitit”, – përfundoi Hoxhson.