e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Reali e nis vrullshem, ben 'gallate' ne Turqi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Reali e nis vrullshem, ben 'gallate' ne Turqi

U paralajmërua se do të ishte “ferri” i Realit, por u shndërrua në një arenë cirku për madrilenët. Gallatasaraji pësoi një humbje turpëruese para tifozëve të zjarrtë, duke u mundur me rezultatin 6-1. Vendësit e nisën ndeshjen me shumë vrull, duke luftuar me zemër dhe një dëshirë të madhe për sukses, por kjo nuk zgjati më shumë se 33 minuta. Pikërisht atëherë kur Isko ndaloi në mënyrë spektakolare një krosim të gjatë të Di Marias dhe i vetëm përballë me portierin Muslera, nuk gaboi për ta dërguar topin në rrjetë.

Ishte gjuajtja e parë e spanjollëve në kuadrat dhe rezultoi fatale. Një goditje që, në vend që t’i zgjonte turqit, i “përgjumi”. Skuadrat shkuan në dhoma e zhveshjes me Realin që kryesonte 1-0, por nga ajo që u pa në fushë, askush nuk mund ta parashikonte një shpërfytyrim të tillë të Gallatasarajit në pjesën e dytë. Karim Benzema në të 54-ën minutë shkundi për herë të dytë rrjetën e vendësve, pas një kundërsulmi të shpejtë. Një gol sigurie, që ua hoqi edhe ato pak shpresa djemve të Fatih Terimit, të cilët u shpërqendruan totalisht në mbrojtje. Ronaldo nisi fushatën e tij të “vrasjeve” brenda zonës dhe saktësisht në minutat 63, 66 dhe 91 ndëshkoi turqit pa u kursyer para portës.

Në të dy të parat ai përfitoi nga rrëmuja dhe mjaftoi që ta dërgonte topin në rrjetë. Ndërsa goli që vulosi edhe fitoren 6-1 ishte një aksion i mrekullueshëm individual, kur dribloi dy lojtarë brenda zonës, para se të gjuante fort në trekëndëshin e majtë të Muslerës. Një fitore e thellë e skuadrës së Ançelotit, i cili ka nisur të japë provat e para se është i gatshëm ta mbajë premtimin e bërë në prezantim: Ekip që fiton, duke dhuruar spektakël. Edhe pse Garet Bejl hyri si zëvendësues në minutën e 64-t, duket se madrilenët janë gati të shkëlqejnë e bindin në fushë, edhe pa blerjen më të shtrenjtë në histori. Një ekip me shumë uri për sukses dhe alegri brenda fushës.


Kasijas - Kishte 238 ditë që nuk luante si titullar në Champions, por rikthimi ka qenë i pafat. Ai u dëmtua në shpinë në minutën e 13-të, pas një përplasjeje me Serxhio Ramosin, duke e pasur të pamundur që ta vazhdonte lojën, duke kërkuar zëvendësim.

“U kërkoj falje të gjithë turqve”


Nuk ka mundur ta fshehë zhgënjimin për paraqitjen e skuadrës, ndaj Fatih Terim u ka kërkuar falje të gjithë bashkatdhetarëve të tij. “Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme e tifozëve, një mbështetje e zjarrtë. Për 32 minuta ne kemi qenë të jashtëzakonshëm në fushë, më pas nuk dinim se çfarë bënim. Dua t’u kërkoj falje jo vetëm tifozëve tanë që ishin në stadium, por të gjithë turqve, që bëmë një paraqitje të tillë. Edhe pse mund të kishim shkuar 2-0 në favorin tonë në 30 minutat e para, e mbyllëm mbrëmjen me një humbje të tmerrshme. Më duket e pabesueshme”, – tha Terim pas ndeshjes.

“E lehtë pas golit të parë”


“Skuadra reagoi mjaft mirë, edhe pse patëm një start të vështirë. Pasi shënuam golin e parë, ndeshja ka qenë mjaft e lehtë për ne, pasi kundërshtari u shpërqendrua. Me kalimin e kohës po fitojmë më tepër siguri në fushë dhe kjo është diçka shumë pozitive”, – u shpreh Karlo Ançeloti. “Më vjen shumë keq që Kasijas u dëmtua. Uroj që të kthehet brenda javës. Bejl? Hyri si zëvendësues, pasi ende nuk ka shumë minuta në këmbët e tij”, – shtoi trajneri italian.

“S’mund ta nisnim më mirë”


Kristiano Ronaldo është shprehur shumë i kënaqur nga triumfi bindës në Turqi. “Fituam një ndeshje mjaft të rëndësishme, ndaj një kundërshtari të fortë. Nuk mund ta nisnim më mirë se kaq fushatën tonë për të fituar Champions-in. Ishte një goleadë, e cila na e shton besimin. Na duhen suksese të tilla, pasi na ndihmojnë. Ky ekip ka shumë potencial dhe jam optimist se do jetë një edicion mjaft i suksesshëm”, – u shpreh portugezi.

U dëmtuan Kasijas e Drogba


Iker Kasijas nuk arriti të luajë më shumë se 13 minuta kundër Gallatasarajit, edhe pse kthehet pas tetë muajsh si titullar në Champions. Pas një përplasje me Serxhio Ramosin, gardiani u dëmtua në shpinë dhe u zëvendësua menjëherë, pasi kishte dhimbje të forta. Gjithsesi, nuk duket që të jetë një dëmtim serioz. Ndërkohë, zëvendësim të detyruar ka pasur edhe Didier Drogba. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë u dëmtua në shpatull pas një përplasjeje të fortë me Pepen dhe nuk arriti të jetë në dispozicion për të luajtur pjesën e dytë me ekipin e tij.