e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Junajtid ben 'poker', Runi i papermajtshem

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Junajtid ben 'poker', Runi i papermajtshem

David Mojes ka debutuar me sukses në fazën në grupe të Champions-it. Trajneri i Mançester Junajtid ka kaluar provën ndaj Leverkusenit, para syve të Aleks Fergusonit. “Djajtë e kuq” e nisën takimin me dyshen Runi-Van Persi në sulm, e mbështetur nga një mesfushë plot muskuj si Karrik, Valencia dhe Felaini. Në fakt, mjaftuan vetëm 22 minuta që vendësit të kalonin në avantazh, pikërisht me anë të Runit, i cili mbante një shirit mbrojtës në kokë, për shkak të dëmtimit. Kaq mjaftoi edhe për pjesën e parë, pavarësisht se sulmuesi anglez u bë protagonist i një shpërdorimi të pabesueshëm, kur dribloi edhe portierin kundërshtar, por nuk gjuajti saktë para portës së boshatisur.

Madje, ra në sy edhe reagimi i acaruar i Sër Aleksit, i cili e ndiqte ndeshjen si një tifoz tepër i zjarrtë. Kur “djajtë e kuq” po kërkonin golin e sigurisë, Simon Rolfes shtangu të gjithë të pranishmit në “Old Trafford” duke barazuar rezultatin në të 54- ën minutë. Gjithsesi, Van Persi nuk u la më tepër se pesë minuta kohë për festë miqve, pasi realizoi një gol spektakolar, duke gjuajtur fluturimthi një krosim në zonë. Rikthimi i avantazhit i dhuroi më tepër qetësi lojës së Mançesterit, që sërish me Runin (dribloi bukur dy mbrojtës dhe përballë portierit dërgoi topin në rrjetë) dhe më pas Valencian, “zhvleftësuan” golin e shënuar në fund nga Torpak dhe vulosën fitoren 4-2. Një sukses bindës që tregon se, pavarësisht mungesës së eksperiencës së Mojesit në Ligën e Kampioneve, “djajtë e kuq” janë të aftë të kenë një ecuri mjaft të suksesshme. Nga ana tjetër, Leverkuseni ishte i pafuqishëm që të evitonte disfatën në shtëpi, por gjithsesi konfirmuan se mund jenë pretendo për të kaluar në raundin tjetër, duke rivalizuar me Sociedadin dhe Shakhtjorin.

“Fitore e bukur, Januzaj nuk ikën te Siti”


David Mojes është shprehur shumë i kënaqur me suksesin e tij të parë në fazën në grupe të Champions-it. “Ishte e rëndësishme ta nisnim me fitore, aq më tepër që luanim në fushën tonë. Jam i kënaqur nga paraqitja e zhvilluar, edhe pse kemi shpërdoruar mjaft raste, sidomos në pjesën e parë. Dua të uroj Runin gjithashtu për golin e 200-të me Junajtid. Kur kam ardhur këtu, e kam thënë që Uejn do bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e këtij klubi”, – tha Mojes. Ndër të tjera, ai ka folur edhe për zërat se Januzaj kërkohet nga Mançester Siti: “Unë kam besim se Adnani do firmosë me ne. Është një futbollist shumë i talentuar dhe mendoj se do qëndrojë. Nuk ka për të shkuar te Siti”.

“Krenar që kam shënuar 200 gola”


Me dopietën e realizuar dje, Uejn Runi ka kapur kuotën e 200 golave me fanellën e Mançester Junajtid në 406 ndeshje të zhvilluara për më shumë se tetë sezone. “Jam krenar, pasi katër veta e kanë arritur një gjë të tillë për Mançesterin. Detyra ime është që të jap maksimumin në fushë, por kur shënon shumë herë, kjo sigurisht që të bën të ndihesh më mirë. Jam i lumtur që kam pasur një ecuri të kënaqshme në këtë fillimsezoni. Uroj që deri në fund të kem shënuar sa më shumë dhe mbi të gjitha të fitojmë trofe të rëndësishëm me Junajtid”, – deklaroi sulmuesi 27-vjeçar, i cili u transferua te “djajtë” në verën e vitit 2004.