e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Danimarka hipnotizon Juven, vetem barazim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Danimarka hipnotizon Juven, vetem barazim

Tani mund ta zyrtarizojmë: nuk do të shihni asnjë lojtar të Juventusit për pushime në Kopenhagen. Fundja, ky udhëtim sjell vetëm kujtime të këqija, vetëm ndeshje të mbrapshta, një atmosferë që hipnotizon ngjyrat bardhezi. Pas barazimit të pamenduar në sezonin e kaluar të Champions- it, kur Nordsjaelandi e detyronte Juventusin në një barazim 1-1 që për ta kishte shijen e festës, shijen e fitores, dje ishte FC Kopenhageni që përsërit historinë, në të njëjtat shifra. Nëse vjet ishte Vuçiniç ai që shmangte humbjen, sivjet realizoi Kualiarela, ai që i mori vendin e titullarit malazezit, si rrjedhojë e rotacionit. Me pak fjalë, një debutim i turpshëm, diçka krejtësisht e ndryshme nga ajo çfarë kishin ëndërruar Konte me lojtarët e tij, por edhe tifozët, me kryetifozin Andrea Anjeli të nervozuar në tribunë. Por, më shumë sesa barazimi, Juventusi duhet të nisë të shqetësohet për të ardhmen, sepse vërtet Gallatasaraji shkatërrohet nga Reali i Madridit në Stamboll, por nëse në ndeshjen e ardhshme nuk vjen një fitore, atëherë e ardhmja bardhezi anon më shumë nga e zeza.


Fillim shokues - Ashtu siç e kishte paralajmëruar në konferencën për shtyp Antonio Konte, në Danimarkë tregojnë se i kishin mbajtur mirë shënim fjalët e tij. Juventusi vuan në krosimet e gjata dhe të larta në zonë dhe pikërisht nga një aksion i tillë, në minutën e 14-të, lind edhe një rrëmujë e madhe në zonë, nga e cila do përfitojë Jorgensen, i vetmi larg grumbullit të lojtarëve që bënin gjithçka për të shtyrë njëri-tjetrin dhe me qetësi shënon përballë Bufonit. 1-0 dhe gjithçka duket një “dejavu”. Por, mjafton kaq dhe Juventusi reagon, fundja çfarë mund të bënte më keq se kaq, ndonëse sërish nuk bind me lojën e saj, duke kërkuar të çajë në qendër të mbrojtjes, segment që duket i pakalueshëm. Prandaj, Konte urdhëron të luhet nga krahët dhe “Zonja e Vjetër” bëhet më e rrezikshme, por pikërisht kur barazimi dukej thjesht çështje minutash dhe fitorja më pas një formalitet, del në skenë një farë Viland, portieri i danezëve që, ashtu si Hensen i Nordsjaelandit vjet, duket i bekuar nga Zoti dhe me çdo pjesë të mundshme të trupit arrin të mbrojë portën e paprekur.


Barazon Kualiarela - Në pjesën e dytë zbret në fushë një tjetër Juve, por që në sekondat e para, Tevez i lëshuar i vetëm përballë Viland sërish godet në trup portierin dhe rezultati mbetet i pandryshuar, 1-0. Gjithsesi, ai që nuk i trembet mallkimit danez është Kualiarela, që në minutën e 9-të me një të majtë bombastike nga qendra e zonës duket se i jep kthesën e madhe ndeshjes, duke çuar shifrat në 1-1. Por, edhe autori i golit dorëzohet përfundimisht kur vetëm pak minuta më pas topi i goditur me kokë prej tij ndalet në traversë. 30 minuta të mbetura dhe gjithçka duket e mundur, por Vidal dhe Xhovinko kopjojnë Tevezin, ndërsa pjesa tjetër e 27 rasteve për gol ose largohen nga Viland, ose përfundojnë jashtë për çështje milimetrash. Në fund, përfundon 1-1, me Konten që duhet të bëjë mirë disa llogari, jo vetëm me të ardhmen e skuadrës, por edhe me një farë Fernando Jorente që, për kilogramët dhe centimetrat që mund të ofronte në zonë, meritonte një shans.

“Me këtë rezultat nxorëm nga kriza Kopenhagenin

” Trajneri i Juventusit, Antonio Konte, ka dashur ta marrë me pak ironi barazimin në Danimarkë, e njëjta gjë siç ndodhi vjet me Nordsjaelandin, por këtë herë edhe FC Kopenhageni diti të përsëritej. “Duke parë eksperiencën e vitit të kaluar, kurrsesi nuk e nënvlerësuam takimin, ndonëse disa zëvendësime në formacion isha i detyruar t’i bëja pas impenjimit me Interin. Por, mesa duket, ne i bëmë një dhuratë të bukur Kopenhagenit. Kur erdhëm këtu të gjithë flisnin për një skuadër në krizë dhe fajtori më i madh ishte portieri Viland. Por, mesa duket, pas këtij barazimi jo vetëm që nxorëm nga kriza dhe i lejuam portierit rival që të bënte një figurë të mirë, por edhe Kopenhageni jam i bindur që do rinisë të fitojë. 20 raste të humbura? 10 ishin ballë për ballë me portierin dhe më vjen keq që shkoi këtu. Në pjesën e parë ishim të ngathët në qarkullimin e topit, ndërsa në të dytën dominuan, bëmë qitje me portën e tyre, por shënjestra ishte e ndryshkur. Sërish Jorente jashtë? Do ta hidhja në fushë, por pas barazimit zgjodha shpejtësinë e Xhovinkos për të tentuar fitoren”.

Pogba e pranon: Kjo skuadër nuk ka më uri

Ishte ndër ata që u mundua t’i jepte një tjetër ritëm ndeshjes, por nëse i gjithë ingranazhi nuk punon, edhe pse më i vogli në skuadër, ai nuk ka frikë ta ngrejë zërin: “Duhej të fitonim dhe pikë. Gabuam shumë në sulm dhe nëse nuk fitojmë ndeshjen e ardhshme, atëherë mund të përfundojmë në humnerë, – nënvizoi Pol Pogba. – Pjesa e parë ishte ajo që na penalizoi, nuk patëm uri dhe këtë mungesë agresiviteti kemi filluar ta shfaqim disi shpesh së fundmi. Prandaj, nga ndeshja e ardhshme bëjmë mirë që disa gjëra t’i ndryshojmë. Portieri i tyre hero? Nuk e di, fundja shumicën e pritjeve të tij ishim ne që e godisnim në trup portierin”.

“Ky fillim i mbrapshtë më tremb”

Kur të gjithë mbanin shpresat te Tevez, pasi Jorente është ende i padukshëm në këtë skuadër, Juventusi i falet rezervës së luksit, Fabio Kualiarela, për të mos dalë të mundur nga Danimarka: “Është absurde që të humbësh mbi 20 raste të pastra për gol. Këtë ndeshje duhet ta analizojmë mirë në vazhdim, sepse personalisht ky fillim i mbrapshtë më tremb shumë. Të mos harrojmë që tani na pret Gallatasaraji dhe dy ndeshje radhazi me Realin, prandaj me këtë ritëm rrezikojmë që të bëjmë një figurë të shëmtuar në Europë”.