e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Real Madrid, ne cerekfinale mes dritherimave

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Real Madrid, ne cerekfinale mes dritherimave

Real Madrid dhe Porto janë dy ekipet e para çerekfinaliste të këtij edicioni të Ligës së Kampioneve. Spanjollët kaluan me shumë vështirësi Shalken, ndërsa portugezët e patën të thjeshtë të triumfonin përballë zviceranëve të Bazelit. Megjithatë, kjo ka qenë një natë për t’u shënuar për Kristiano Ronaldon, i cili barazoi rekordin e Lionel Mesit, duke e çuar në 75 numrin e golave të realizuar në Ligën e Kampioneve. Tani ai është kryesuesi i vetëm i renditjes që përfshin të gjitha aktivitetet ndërkombëtare europiane me 78 gola të shënuar.

Në “Santiago Bernabeu” pritej një ndeshje e qetë për Realin, që kishte fituar 2-0 në Gjermani. Por Shalke i çuditi të gjithë me një futboll tërësisht sulmues, duke i krijuar vështirësi të mëdha prapavijës së vendasve dhe duke vënë në diskutim kualifikimin e kampionëve në fuqi. Gjermanët kaluan dy herë radhazi në avantazh dhe po të mos ishte për Kristiano Ronaldon dhe saktësinë e tij para portës, Reali do të ishte në telashe të mëdha. Portugezi realizoi dy herë për të mbyllur pjesën e parë të ndeshjes në barazimin 2-2, që gjithsesi nuk evitoi vërshëllimat e tifozëve spanjollë ndaj skuadrës së tyre. Goli i Benzema në fillimin e pjesës së dytë la të mendohej se do të ndryshonin fatet e sfidës. Por fillimisht Sane e më pas Huntelar vunë në diskutim kualifikimin e Realit me golat e tyre, duke iu afruar shumë eliminimit të mbajtësve të trofeut. U deshën disa pritje vendimtare të Iker Kasijas që Reali të siguronte kalimin e turit, ndonëse në mënyrë aspak bindëse.

Në ndeshjen tjetër, Bazeli nuk i ka bërë shumë rezistencë Portos vendase, e cila ka dominuar takimin, duke e mbyllur me suksesin 4-0. Zviceranët kishin udhëtuar drejt Portugalisë me planin për t’u mbrojtur dhe goditur në kundërsulm. Por ky plan i tyre u shkatërrua që në minutën e 14, kur Brahimi i dha avantazhin Portos me një goditje dënimi, duke bërë gjithçka të thjeshtë për kualifikimin e mëtejshëm. Rezultati 4-0, me të cilën u mbyll kjo ndeshje, ishte një pasqyrë e qartë e asaj që u shfaq në fushën e lojës dhe dominimit të portugezëve.