Rasti i rralle! Futbollisti kuqezi kerkon bileta per Shqiperi-Serbi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duket e çuditshme, por një futbollist i kombëtares shqiptare, Alban Meha, kërkon bileta për ndeshjen e 8 tetorit kundër Serbisë, në “Elbasan Arena”.
Mesfushori kuqezi, që nuk është grumbulluar më nga Gianni De Biasi, që pas ndeshjes me Armeninë, të cilën e fituam 2-1, ka bërë një kërkesë publike përmes faqes së tij në Facebook “Kush ka bileta për 8 tetor 2015”.
Imagjinoni më tej, kur një lojtar kuqezi nuk pajiset dot me biletë nga FSHF-ja, për vete (nëse i duhet ta përcjellë këtë sfidë si tifoz, jo si pjesë e grupit të De Biazit), apo për familjarët, si mund ta kenë këtë fat tifozët e thjeshtë të kombëtares, ata që s’i ndahen asaj në të mirë dhe në të keq, brenda dhe jashtë vendit. Shpërndarja e biletave online, sikurse pretendon federata, duket një truk për të larë duart, sepse ato nuk po mbërrijnë dot në duart e futbollistëve, jo më të njerëzve të thjeshtë, raporton Telesport.
Në fakt, kërkesa e Mehës për bileta të ndeshjes me Serbinë shërben më së miri për të kuptuar mënyrën e shpërndarjes së tyre për zyrtarë, qeveritarë, prokurorë e njerëz të kollarisur, që do të jenë dekori më i shëmtuar i “Elbasan Arena” më 8 tetor.Sikurse dihet, ka një praktikë, që funksionon edhe për klubet, jo më kombëtaret: lojtarët pajisen me një numër të caktuar biletash për njerëzit e tyre.
Kjo do të thotë se Meha nuk e llogarit veten pjesë të të grumbulluarve të De Biazit për ndeshjen me Serbinë, edhe pse po shkëlqen në Turqi, ose rregulli i mësipërm vlen për lojtarë të veçantë, duke bërë dallime mes grupit kuqezi.
Meqë FSHF-ja kërkon “fair-play” në letrën shoqëruese të biletave, që nuk dihet se ku janë, sepse akoma janë të paaksesueshme nga tifozët, le të tregohet e tillë edhe vetë.