e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Nis aventura europiane e Skenderbeut, ja dilemat e Joses

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nis aventura europiane e Skenderbeut, ja dilemat e Joses

Bardhekuqtë e Skënderbeut kanë mbyllur dje përgatitjet nga “Elbasan Arena” për ndeshjen kundër Beshiktashit. Pas përfundimit të konferencës për shtyp, mediat u lejuan që të qëndronin vetëm 15 minuta në ambientet e stadiumit për të parë stërvitjen. Në ato pak minuta sa u pa, lojtarët dhe stafi ishin në harmoni me njëri-tjetrin dhe bënin shaka. Me grupin kreu stërvitje edhe sulmuesi Hamdi Salihi, që u rikthye nga dëmtimi.

Sigurisht që porta nuk do ketë asnjë dilemë të vetme, pasi si zakonisht do të jetë Orges Shehi në mes të shtyllave, ndërsa para tij pritet të rreshtohet një mbrojtje shtatlartë e përbërë nga Vangjeli në krahun e djathtë, Arapi në të majtë dhe Radas së bashku me Jashanicën në qendër.

Edhe qendra e mesfushës pritet që të jetë mjaft e mbipopulluar, sërish me tre lojtarë që do të mundohen të forcojnë akoma edhe më shumë pozitat e Skënderbeut qoftë gjatë qarkullimit të topit, qoftë edhe në sulmet e shpeshta të turqve. Për momentin, Shkëmbi është alternativa e vetme dhe e sigurt para mbrojtjes me një skemë të mirëstudiuar në këto ditë të stërvitjeve, që do të jetë 4-1-4-1.

Pra, kapiteni do të zërë vendin e tij para mbrojtjes dhe disi më të avancuar do të jetë katërshja e mesfushës. Latifi sigurisht do të niset titullar nga e majta, ndërsa Berisha do të veprojë në të djathtë. Qendra e mesfushës pritet të formohet nga dy diga si Lilaj dhe Nimaga.

Në sulm, disi i veçuar, do të jetë pa dyshim Salihi që tashmë ka rikuperuar plotësisht dëmtimin e pësuar në ndeshjen kundër Vllaznisë. Megjithatë, mund të ketë edhe ndonjë surprizë në momentet e fundit dhe shkodrani ta nisë nga stoli. Normalisht që ky është formacioni tip më i mundshëm që Josa do të hedhë në fushë nga minuta e parë në “Elbasan Arena” mbrëmjen e sotme, teksa sigurisht që edhe trajneri bardhekuq ka jo pak dilema.

E para dhe më e mundshmja është ajo e Nimagës. Trajneri e ka provuar në seancën e fundit formacionin me Nimagën për të rritur disi aspektin fizik të ekipit, por ndoshta nuk do të jetë çudi që në vend të tij të shohim edhe Eskuerdinjën me qëllim që t’i ofrojë më shumë qetësi ekipit në momentet e qarkullimit.

Teksa dilema e dytë është balotazhi mes Latifit dhe Olainkës. Kosovari natyrisht është më tepër i favorizuar nga fakti se është tipik lojtar krahu dhe e ka pozicionin e tij të preferuar.