Ramadani: Na penalizuan mungesat dhe gjyqtari
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zekeria Ramadani ka analizuar barazimin pa gola që regjistroi në shtëpi ndaj Bylisit.
Në një prononcim për "Super Sport" trajneri i Flamurtarit theksoi që mungesa e titullarëve ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes. Ndër të tjera tekniku i vlonjatëve nuk hezitoi të "kritikonte" dhe gjykimin.
" Ne e dinim që e fillonim ndeshjen pa një sulmues, pasi i kemi të dëmtuar, u munduam të bënim një eksperiment me Lushtakun meqenëse është mesfushor me tipare sulmuese, arritëm tek rasti por nuk ja dolëm. Kur kemi mungesa të tepërta është vështirë të bësh zëvendësime, mund të zëvendësosh një lojtar por dy është pak e vështirë. Kur kemi Danilon në fushë, lë hapësirë të madhe dhe për mesfushorët. Sot nuk kishim një sulmues, i cili na mungoi shumë, por gjithsesi jam i kënaqur me angazhimin e skuadrës që na mungoi me Tërbunin, sot ishte në nivel më të lartë.
Kartoni i kuq i Telushit
"Kur është Bruno në fushë, është më agresive skuadra. Megjithëse ai ishte dyluftim mes lojtarëve, por në fund si gjithmonë ndëshkohemi ne".
Rasti i Da Silvës
"Mendoj që dhe tek rasti i Da Silvës i cili rrëzohet brenda zonës, gjyqtari nuk e dha. Gjithmonë për ne të tilla raste mbeten të dyshimta"- thotë me ironi trajneri Ramadani.
Rivali Bylis?
"Edhe po të kishim fituar sot , e mendonim si rival. Mbetemi rival me Vllazninë dhe gjithashtu Bylisin deri në fund".
Lideri i skuadrës
"Nuk kemi një lider dhe mua nuk më pëlqen që ta kemi. I gjithë ekipi është lider, ekipi që kemi dhe mungesat që kemi pasur në të gjitha ndeshjet, pasi nuk i kam pasur të gjithë futbollistët në dispozicion. Ndaj na ka ndodhur që nga ndeshja në ndeshje të shfaqet një Flamurtar tjetër".
Për skuadrën
"Sot të gjithë futbollistët dhanë maksimumin, të luash me 4-5 mungesa, ne u munduam tërë javës që kjo të merret si ndeshje e radhës. Kemi edhe 11 finale deri në fund".