Rama, vizite ne 3 te mengjesit per te pare punimet ne stadiumin e Elbasanit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para disa ditësh ka bërë një vizitë të befasishme dhe krejt sekrete në qytetin e Elbasanit, në orët e para të mëngjesit. Burime të “Panorama Sport” pranë punonjësve që po merren me ndërtimin e stadiumit, por edhe të atyre që merren me punimet e rrugëve që të çojnë në “Elbasan Arena”, konfirmojnë vizitën e kryeministrit Rama. Mësohet se kreu i qeverisë shqiptare ka inspektuar punimet që po mbahen në impiantin modern që po ndërtohet.
Kryeministri ka qenë i interesuar më së shumti për të parë se çfarë po bëhet me stadiumin e ri të Kombëtares shqiptare të futbollit “Elbasan Arena”, si edhe nëse po punohet apo jo. Punëtorët kanë mbetur të shtangur fillimisht, pasi nuk ndodh përditë që një kryeministër të zgjohet në mes të natës. Mësohet se Kryeministri nuk ka qenë i shoqëruar me eskortën e zakonshme, pasi nuk ka dashur që ky inspektim të merrej vesh, por të ishte gjithçka në kuadrin e një vizite të paparalajmëruar. Vizita e Ramës është një sinjal i fortë për ata që kanë marrë përsipër ndërtimin në kohë të impiantit, i cili në fund të shtatorit duhet të përfundojë patjetër. Vizitat e papritura të Ramës janë të njohura në fakt, që nga koha kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës.