e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ibres i mbeten edhe 2 vjet kohe

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ibres i mbeten edhe 2 vjet kohe

Nuk e ndjen mungesën e një trofeu prestigjioz si ai i Champions League për ta konsideruar veten mes më të mëdhenjve të futbollit. Përballë zërave kritikë, karrierën e tij Zllatan Ibrahimoviç e mbron me fanatizëm, duke këmbëngulur se trofeun e madh europian nuk e ka fituar as Ronaldo i vërteti, siç e quan ai fenomenin brazilian:

“Nuk bezdisem aspak kur dëgjoj njerëzit që thonë se nuk e kam fituar.

Gjithmonë do të gjendet diçka për ta kritikuar një lojtar, kur ai është në nivelin më të lartë. Edhe Ronaldo i vërtetë nuk e ka fituar Championsin dhe çfarë thonë për të? Po nëse Maradona nuk do ta kishte fituar Kupën e Botës, a do të konsiderohej ende i madh?

Pa dyshim që po. E njëjta gjë vlen edhe për mua. E fiton apo jo një trofe, kjo nuk e ndryshon aspak një lojtar”.

Në vijim, ylli i Paris Saint Germain lëshoi bombën me paralajmërimin për një tërheqje të mundshmë nga futbolli:

“Kur kontrata ime të skadojë në vitin 2016, unë do të jem 34 vjeç dhe në këtë moshë nuk e shikoj veten duke luajtur në nivelin që kam sot.

Pra, mund të them se karriera ime me shumë mundësi do të përfundojë si lojtar i Parisit”.

Presidenti i parizienëve, Al-Khelaifi i ka rezervuar suedezit një plan ambicioz kur të vijë momenti i tërheqjes nga futbolli i luajtur. Në zyrën e sheikut nga Katari qëndron plani për t’i dhënë Ibrës një post drejtues në klub, por bomberi bën të paditurin kur pyetet rreth të ardhmes. Zllatan tha se për momentin nuk e di se çfarë dëshiron të bëjë pas disa vjetësh, kështu që është më mirë të bëhet durim deri atëherë.