Rama-Platini: Stadiumi, ne kohen e duhur!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Projekti i stadiumit të ri kombëtar të futbollit do të mbështetet ekonomikisht nga qeveria shqiptare sapo kjo e fundit të shmangë disi vështirësitë e një buxheti të kufizuar. Kjo ka qenë tema dhe konkluzioni i vizitës zyrtare të presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, në Tiranë, ku ka takuar Kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Në një vizitë e cila në protokoll kishte si diskutim bazë çështjen e ndërthurjes së futbollit si lëndë shkollore, temë kryesore është kthyer çështja e impianteve futbollistike në Shqipëri, që mbetet një shqetësim thelbësor për UEFA-n, duke pasur parasysh se në shtator fillojnë eliminatoret e Euro 2016.
Gjithsesi, delegacioni i UEFA-s, në të cilin bënin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Xhani Infantino, si dhe pjesëtarë të Komiteti Ekzekutiv, ka mësuar nga vetë Kryeministri shqiptar se si qeveria ka nisur investimet për përmirësimin e infrastrukturës sportive në vendin tonë, siç e konfirmoi pas kësaj mbledhje vete Kryeministri Rama.
“Sot ne u takuam dhe diskutuam për përgatitjet për sezonin e ardhshëm të skuadrës kombëtare. E informova me kënaqësi që jemi të angazhuar dhe jemi të bindur që në shtator do t’i dhurojmë kombëtares tonë, por edhe për pjesën tonë, kompeticionit, një stadium që do të jetë në lartësinë e imazhit që duam për Shqipërinë, në Elbasan. Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, qeveria do të financojë këtë operacion. Ndërkohë, folëm edhe për të ardhmen e stadiumit kombëtar, i cili fatkeqësisht sot është jashtë standardeve për të mikpritur një ndeshje ndërkombëtare. Dhe po ashtu ndamë përsëri të njëjtën pikëpamje të kahershme se ajo çka nuk duhet të harrojmë asnjëherë është se futbolli është në radhë të parë i fëmijëve, të rinjve dhe është një instrument i pazëvendësueshëm social. Për këtë arsye, unë dua ta falënderoj Mishelin, sepse është realisht, jo vetëm një promotor i mbarëbotshëm i kësaj ideje të madhe të sportit për të gjithë, por edhe një mbështetës i drejtpërdrejtë i vetë iniciativave tona”, tha kreu i qeverisë shqiptare pas takimit me Platini, të cilin e vlerësoi si një mik të vjetër.
Edhe vetë Platini u shfaq i kënaqur me ndryshimet që ka parë në Shqipëri që nga viti 2010, kur e ka vizituar për herë të fundit vendin tonë. Ndonëse gjen Tiranën ende pa një stadium kombëtar, që asokohe iu premtua nga ish-kryeministri Berisha, presidenti i UEFA-s është i bindur se Shqipëria ka bërë hapa përpara. “Jemi të mendimit se sporti i futbollit ndodhet në duar të sigurta, nga Kryeministri dhe Presidenti i FSHF, Armand Duka. Përse them se është në duar të sigurta? Them kështu, sepse ata janë dy persona që e duan futbollin, njihemi prej vitesh, e di se çfarë duan të bëjnë, e di se çfarë mund të bëhet, e di edhe se çfarë nuk mund të bëhet, sepse nuk është e lehtë për të bërë gjëra të mira. Folëm për stadiumin e ri, diçka që Kryeministri e ka konsultuar se bashku me Presidentin Duka, e që do të realizohet sapo të ekzistojnë lehtësitë financiare.
Po bëhet stadiumi i ri në Elbasan, rreth 40 kilometra nga këtu, dhe do të jetë shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ndeshjeve në rang ndërkombëtar. Po ashtu, për krijimin e një vizonit të ri për sportin e futbollit në Shqipëri, pasi duke filluar nga shtatori, të gjitha ndeshjet në Shqipëri do të ndiqen nga e gjithë bota nga sistemi i ri i transmetimit. Ajo që është realizuar këtu, edhe me kontributin dashamirës të UEFA-s, është ajo që Kryeministri në bashkëpunim me FSHF kanë bërë për zhvillimin e sportit të futbollit në shkolla. Kjo është një gjë shumë e bukur. Kryeministri do të ndihmojë në këtë drejtim, FSHF po ashtu, gjithashtu edhe ne të UEFA-s do të ndihmojmë nëpërmjet bazës materiale, ekspertëve të ndryshëm, duke ndihmuar kështu zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Më pas, është në dorën tuaj të krijoni kampionë të mëdhenj, këtu nuk mund t’u ndihmojmë, ky është një problem krejtësisht i juaji. Por, siç u shpreh Kryeministri, e rëndësishme është që rinia juaj, fëmijët të argëtohen duke luajtur futboll dhe nëse një ditë nga ata do të dalë një Ronaldo, një Mesi, do të jetë diçka e bukur për Shqipërinë. Ju faleminderit për pritjen Edi, faleminderit Armando! Ne të UEFA-s jemi të kënaqur për ecurinë e futbollit këtu në Shqipëri, mbi të gjitha me dy personazhe të rëndësishme që e duan shumë këtë sport”, deklaroi presidenti i UEFA-s pas pritjes në Kryeministri.
Kosova - Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Platini, ka vizituar edhe zyrat e FSHF-së. Atje ai është takuar edhe me një delegacion të Federatës së Futbollit të Kosovës, që kryesohej nga presidenti Fadil Vokrri. Duhet theksuar se ky takim nuk ishte parashikuar në protokoll, as nga UEFA dhe as nga FSHF, ndërsa pas largimit të Platini, Vokrri nuk ka pranuar të flasë për mediat shqiptare.
Trukimet - Delegacioni i UEFA-s ka shfrytëzuar vizitën në Tiranë për të bërë të ditur edhe shqetësimin rreth trukimit të ndeshjeve nga skuadrat shqiptare. Ndërkombëtarët janë takuar dje në zyrat e FSHF-së me kryetarin e Komisionit të Etikës, Fatmir Braka. Duket se ky takim do t’i paraprijë dosjes së radhës që UEFA do të dorëzojë në FSHF për ndeshjet që dyshohen si të manipuluara