e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Milani shtyllat, Diego Kosta e ndeshkon

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Milani shtyllat, Diego Kosta e ndeshkon

Pas një pjese të parë perfekte, ku të gjithë tifozët kuqezi kanë mallkuar shtyllat që u mohuan dy gola të merituar, Milani duhet të dalë i mundur në fund të 90-minutëshit të parë të 1/8-ve të finaleve, ndonëse ky ishte i vetmi rezultat që skuadra e Sedorfit nuk meritonte në “San Siro”. Gjithsesi, me Diego Kostën që nuk njeh mëshirë për askënd që i jep pak hapësirë në zonë, braziliani i natyralizuar spanjoll i jep një goditje të ashpër Milanit vetëm pak minuta nga fundi, duke e hedhur në tapet, me shifrat finale që do tregojnë rezultatin 1-0 për spanjollët. Edhe pse për 45 minuta Kaka e Baloteli u dhanë një leksion futbolli kryesuesve të La Ligas, në pjesën e dytë ulja e ritmit nga kuqezinjtë bëri që jo vetëm të ndëshkoheshin, por edhe që optimizmi për një kualifikim në pritje të ndeshjes së kthimit më 11 mars të jetë më i vogël sesa mendonin ata përpara minutës së 83-të.


Çështje shtyllash – Muzika e Champions-it është drogë për Milanin, doping sportiv, për të shpalosur gjithmonë cilësitë më të mira të grupit, dhe Atletiko e Madridit e kupton fare qartë këtë gjë. Edhe pse spanjollët e nisin më mirë sfidën, duke ofruar presing mbytës në zonën kuqezi dhe qarkullim topi, mendon Baloteli për t’i trembur miqtë iberikas, me një goditje dënimi nga 30 metra. Kaq duhet dhe “Djalli” nis të shfryjë zjarr në fushë, duke marrë ndeshjen në zotërim, por i vetmi që nuk trembet dhe nuk digjet është portieri i Atletikos, Kurtua, që shmang dy gola të sigurt brenda tri minutash. Në të 15-tën, Tarabt inspiron Kakanë në zonë, me brazilianin që nuk mendohet, por me të majtën godet fort, mirëpo Kurtua devijon aq sa sfera të përfundojë në goditje këndi, pasi të përkëdhelë edhe traversën. Milani merr zemër dhe në të 18-tën do të jetë shtylla që do i vijë në ndihmë “gardianit” të Atletikos, me Polin që shërbehet sërish nga Tarabt, por goditje e tij me kokë nuk e frikëson Kurtuanë, që mban portën e tij të paprekur, ndonëse me pak fat. Kuqezinjtë duken ata të viteve të arta, sidomos në minutën e 30-të, kur Baloteli me thembër në zonë pason për Kakanë, por sërish shënjestra e numrit 22 nuk është perfekte dhe me këtë emocion mbyllet edhe pjesa e parë e takimit.


Diego Kosta nuk fal - Nëse Milani shfryu zjarr gjatë gjithë pjesës së parë, në të dytën zbret i bukosur në fushë dhe Atletiko përfiton duke udhëhequr me qetësi lojën, sepse edhe një barazim pas drithërimave të 45 minutave të para duket një rezultat pozitiv. Por Diego Kosta nuk e mendon kështu, sepse teksa përplaset dhe lufton për të kontrolluar topat që vijnë në drejtim të tij, nuk harron edhe të godasë portën e Abiatit. Milani nuk është dorëzuar, por nuk është më bindës në tentativat e tij për gol, duke u shuar plotësisht mes minutave 13-20, me Kakanë e Tarabtin që nuk i japin forcë dy gjuajtjeve në kuadrat dhe Esienit që nuk ka centimetrat e duhur për të qenë i frikshëm me kokë në zonën rivale. Por më e keqja është se me kalimin e minutave skuadra e Sedorfit rishfaq shenjat e një “kanceri” të pakurueshëm, duke humbur kompaktësi mes reparteve, dhe kaq i mjafton Atletikos për të hedhur themelet e golit. Pasi Abiati ndal në dy tentativa Rodrigezin në të 75- ën, tetë minuta më vonë mbrojtja shthuret krejt pas një goditjeje këndi. Krosimi i fortë në zonë nuk largohet siç duhet nga Abate, përkundrazi mbrojtësi kuqezi ul shpejtësinë e sferës duke ia lehtësuar goditjen në portë “vrasësit” Diego Silva, që nuk e mëshiron Milanin, por feston dhe afron Atletikon e Madridit me çerekfinalet.

Probleme serioze për De Shiljon, tremb edhe Baloteli

Një ndërhyrje e frikshme dhe shumë e ashpër nga Emiliano Insua e ka detyruar mbrojtësin e djathtë të Milanit, Matia De Shiljon, që ta mbyllë ndeshjen e tij vetëm pas 26 minutash lojë. Ndërhyrja e dhunshme e argjentinasit të Atletikos së Madridit në të 20-tën u dënua me karton të verdhë, por ishte aq e ashpër, sa kapte edhe limitet e përjashtimit të menjëhershëm nga fusha e lojës. Edhe pse De Shiljo tentoi të rifutej në fushë, në të 26-tën ia la vendin Injacio Abates. Ndërkohë, stafi mjekësor e ka dërguar menjëherë në klinikë 21-vjeçarin, ku diagnoza e parë zyrtarizon një traumë dhe njëkohësisht një ndrydhje të fortë të kaviljes së djathtë. Natyrisht që optimizmi nuk është i madh, prandaj për kohët e riaftësimit do të mësohet në ditët në vazhdim. Por përveç De Shiljos, edhe gjendja e shpatullës së Mario Balotelit frikëson. Rënia e dhunshme në tokë në minutën e 69-të, pas një kontakti me Diego Kostën e ka detyruar sulmuesin që të dorëzohet nga dhimbjet në minutën e 77-të, duke ia lënë vendin Pacinit. Në fund të sfidës, sulmuesi e ka lënë stadiumin me një krah të fashuar fort, në pritje të diagnozës së sotme, ndonëse edhe këtu alarmi në lidhje me rëndësinë e dëmtimit është mjaft i madh.

“Asgjë s’ka përfunduar, jap jetën për Sedorfin”


Çdo ndeshje që kalon shkëlqen edhe më shumë. Adel Tarabt ka frymëzuar mesfushën e Milanit, i ka ofruar cilësi, rrezikshmëri dhe paparashikueshmëri asaj, por edhe shumë grintë, siç thekson vetë futbollisti pas humbjes së djeshme. “Nëse sot po flasim për mua me elozhe të mëdha, kjo është vetëm meritë e trajnerit, meritë e Sedorfit, një person për të cilin do jap jetën në këto 4-5 muaj që më kanë mbetur te Milani. Humbja na djeg, sepse askush nuk mund të thotë se e merituam, përkundrazi… Prandaj, në ndeshjen e kthimit duhet të përsërisim 45 minutat e para, me besimin e plotë se jo vetëm do e përmbysim rezultatin, por unë do fitoj konfirmimin tim te Milani falë 90-minutëshit të ardhshëm”.

“Kemi shanse për të kaluar turin”


Nga më të mirët në fushë në përballjen e djeshme është edhe Andrea Poli, i cili ka besim se Milani do t’ia dalë që të kalojë fazën e 1/ 8 të Ligës së Kampioneve. “Kur unë gjuajta me kokë, portieri bëri një pritje të mrekullueshme. Unë jam i hidhëruar, por Milani nuk ka pse të ndiejë faj për këtë rezultat. Ne vumë në vështirësi një ekip shumë të fortë, por pastaj në pjesën e dytë ritmi i lojës ra pak dhe ishte pak e vështirë që të vazhdonim në nivel të lartë. Gjithsesi mendoj se ky ekip duhet duartrokitur”, tha mesfushori. Ai shtoi se shanset që “Djallit” të kalojë këtë tur janë. “Ne mund të fitojmë ndaj Atletikos në sfidën e kthimit. Penalltia? Unë i kërkova shpjegime arbitrit, por ai më buzëqeshi e më tha që nuk kishte penallti”.

“Ndaj Polit duhej të ishte dhënë penallti”


Zëvendëstrajneri Mauro Tasoti, pavarësisht humbjes, e ka vlerësuar paraqitjen e ekipit kuqezi. “Ne bëmë një ndeshje të mirë, në pjesën e parë meritonim më shumë, dy shtylla, episodi për penallti i Polit, arbitri duhet ta kishte dhënë. Më pas ata nisën që të humbnin terren. Ne bëmë disa ndryshime dhe në vazhdim erdhi ai gol nga goditja e këndit. Synimi ynë ishte që të shtonim presionin dhe të avanconim më shumë edhe në pjesën e dytë”. Sipas zv/teknikut, si Poli edhe Tarabt bënë paraqitje të mira. “Andrea në fazën mbrojtëse na lejoi të luanim me 4 lojtarë, kurse Tarabt bëri disa numra të bukur, por duhet ende që të njohë shokët e tij. Sa i përket De Shiljos, ai është në spital për shkak të një traume të pësuar, kurse Baloteli ka dhimbje në shpatull”.

“Ne dhamë më të mirën tonë”


Daniele Bonera mendon se Milani nuk duhet që të fajësojë veten për humbjen e pësuar nga Atletiko. “Skuadra nuk ka arsye që të ndihet në faj. Ne e meritonim avantazhin në këtë takim, por një gol i ardhur nga një goditje këndi na penalizoi. Në pjesën e parë ne bëmë shumë aksione dhe shfaqëm një gjendje të mirë. Duhet që të rritemi nga këndvështrimi i paraqitjeve dhe sot ekipi bëri gjithçka mundi për ta fituar këtë ndeshje”, tha futbollisti i “Djallit”.

Simeone: Fitore me rëndësi, por kemi ende shumë punë


Trajneri i Atletikos, Diego Simeone, i gëzohet golit të shënuar nga Diego Kosta, por thekson se që të sigurohet kualifikimi duhet ende shumë punë për të bërë. “Ne e nisëm mirë lojën, u krijuam shumë shqetësime kundërshtarëve tanë në zonën e tyre të rreptësisë, por me humbjet e topit lëshuam terren e na u desh që të ktheheshim pas. Milani iu afrua golit, por me nisjen e pjesës së dytë, ne ndryshuam strategji, dolëm përpara dhe falë këmbënguljes ndryshoi edhe fati i takimit”, deklaroi tekniku i bardhekuqve. Por, Simeone e pranon se kundër kishin një kundërshtar shumë agresiv, i cili u hapi shumë probleme. “Milani luajti një lojë ofensive, qarkulloi topin shumë mirë dhe pati bashkëveprim dhe Poli ishte një rrezik i vazhdueshëm me tentativat dhe pasimet e tij. Gjithashtu edhe Emanuelsoni, Baloteli dhe Kaka bënë që ne të vuanim disi për shkak të rasteve që ata krijonin. Por, me kalimin e minutave, skuadra ime sa erdhi dhe po përmirësohej, ndërkohë që edhe mesfusha u përmirësua në zbatimin detyrave të saj”.


Kurtua – Tekniku i Atletikos nuk i kursen fjalët e mira për gardianin Kurtua, që u dallua në takimin e djeshëm për sigurinë që dha në portë. “Portieri u tregua i jashtëzakonshëm në atë pritje që bëri ndaj Polit, megjithatë që të gjithë futbollistët bënë një lojë të mirë. Edhe Diego Kosta ishte i saktë në mundësinë që iu dha, duke realizuar një gol me peshë, por edhe me fat. Në futboll ajo që ka rëndësi është të shënosh”. Por, pavarësisht suksesit të arritur në një fushë të vështirë si “San Siro”, sërish Simeone kërkon kujdes, pasi kualifikimin e ndajnë edhe të paktën 90 minuta shumë të vështira. “Ne e kemi hedhur një hap të rëndësishëm, por ka ende shumë lojë për të bërë në ‘Kalderon’. Duhet që të jemi të saktë e të mos gabojmë, pasi Milani është rival i fortë”.

“U mbyllëm gojën dyshuesve”


Diego Kosta është i lumtur me suksesin e arritur. “Ne kemi marrë një rezultat pozitiv, por ende nuk kemi arritur asgjë. Kemi një avantazh të madh aktualisht, por ne do të përpiqemi që të mbyllim takimin në “Kaldreon”. Ne kemi shumë besim te vetja, humbëm tri takime dhe njerëzit dyshuan tek ne. Megjithatë, asnjëherë ne nuk patëm dyshim te forcat tona. Jemi shumë të fortë”, tha sulmuesi i Atletiko Madridit. Më pas ai foli për rivalët. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë duke pasur parasysh presionin që ne patëm gjatë 90 minutave. Megjithatë ne pritëm momentin e duhur dhe goditëm saktë. Virtyti më i madh është që ne të gjithë së bashku luftuam fort dhe arritëm që të marrim këtë rezultat pozitiv, edhe pse kundër kishim një Milan shumë të fortë”. Në fund, Diego Kosta nuk i kursen fjalët pozitive për portierin e Atletikos, Kurtua, sipas të cilit është një nga më të mirët në botë.