Ka dominim bavarez, vendos Kros e Myler
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rul në Bundesligë, tank në Champions. Bajerni i Mynihut konfirmohet skuadra e kalibrit superior dhe dje vendosi diktatin edhe në “Emirates” të Londrës (veçanërisht pas daljes me karton të kuq të Sheznit), duke fituar 2-0 ndaj Arsenalit dhe hipotekuar kualifikimin në çerekfinale.
Sakrifikohet Zhirud - Mes “topçinjve” ndihen mungesat e Uollkotit dhe Ramsejt, ndërsa Arteta është i skualifikuar. Janë pikërisht Flamini dhe Uilsher ata që sigurojnë filtrin dhe dinamizmin në mesfushë, por ky i fundit disi më i avancuar në skemën 4-1-4-1. Ndërsa Çembërlein, Ozil dhe Kazorla luajnë pas të vetmit sulmues. Dhe në mënyrë surprizë numri “9″ i londinezëve nuk është Zhirud, por i riu Sanogo. Guardiola zgjedh një 4-3-3 ku i kërkon Lahmit që të rikthehet në rolin e tij të vjetër në krah të djathtë të mbrojtjes për herë të parë pas 10 dhjetorit 2013, kur kapiteni luante për herë të fundit në rolin e tij natyral me Sitin. Havi Martinez orkestron lojën e “die Roten”, ndërsa Kros dhe Tiago e rrethojnë. Në trion e sulmit Manxukiç ka detyrën të tërheqë skuadrën përpara dhe të gjejë portën, ndërsa në krah pa Riberinë dhe Shaqirin e dëmtuar, luan Gëce dhe Roben. Rafinja, Myler dhe i saporikthyeri Shvajnshtaiger ngrohin stolin.
Start i çmendur - Me trajnerët që përpiqen të surprizojnë njëri-tjetrin me ndryshimet në modulet e tyre, janë të zotët e shtëpisë më të gjallë pas vërshëllimës së Ricolit, por goditjen e parë në portë e bëjnë kampionët e Europës: e majta e Krosit nga jashtë zone shoqërohet me fluturimin e pabesueshëm të Sheznit në trekëndësh. Arsenali ka një ritëm të shfrenuar, ndërsa Bajerni detyrohet të mbrohet. Sanogo vihet në zotërim të një topi që kërcen në zonë, por goditja e tij devijohet nga Nojer. Në minutën e 8-të “topçinjtë” kanë rastin më të mirë: Asisti fantastik i Uilsher gjen Ozilin që është në pozicion jashtë loje, por gjyqtari bën me shenjë vazhdimin e lojës. Gjermani tenton të driblojë Boatengun dhe pengohet në këmbën e mbrojtësit. Për arbitrin italian Nikola Ricoli nuk ka dyshime: penallti dhe karton i verdhë për Boatengun. Por, Ozil harron se shoku i tij i Kombëtares gjermane ia njeh truket. Nojer nuk lëviz ndaj tentativës qendrore të fantazistit dhe shpëton portën. Gjermanët marrin zemër dhe bëhen të rrezikshëm nga krahët: Alaba provon me një të majtë, por silura e tij bllokohet nga Flamini përpara se t’i drejtohet portës. Skuadra e Venger nuk mund të qëndrojë duke parë dhe Çembërlein për pak sa nuk përfiton nga një gabim i Alabës, por dalja e Nojer është vendimtare. Deri këtu foli Arsenali. Minuta e 37-të ndryshon gjithë rrjedhën e ndeshjes. Kros fton Robenin me një parashutë në zonë dhe holandezi, që e gjen të përgjumur mbrojtjen, shmang topin nga Shezni në dalje dhe polakut nuk i mbetet asgjë tjetër veçse ta pengojë. Kartoni i kuq është i paevitueshëm, ashtu si dhe 11-metërshi. Por Alaba nuk bën më mirë se Ozil, ndërsa godet shtyllën e Fabianskit që hyri në vend të Kazorlës dhe detyroi Vengerin të ndryshojë sërish modul në 4-4-1.
Kryevepër e Kros - Në fillim të pjesës së dytë Guardiola ndryshon gjithë Bajernin e tij: hyn Rafinja në krah të djathtë të mbrojtjes dhe Lahm spostohet në rolin e numrit “6″, duke rikthyer Martinezin në qendër të mbrojtjes përkrah Dantes. Bajerni shndërrohet në makinën e lojës që është një kënaqësi ta shohësh. Thonjtë nuk u mjaftojnë vendësve për t’u mbrojtur: Roben provon me një të majtë në hyrje të zonës, por Fabianski bllokon. Por, 1 minutë më vonë polaku do dorëzohet nga mrekullia e Krosit. Mesfushori që jo më kot gëzon nofkën “Snajperi” lëshon një top nga hyrja e zonës me klas dhe forcë që vetëm pak dinë ta bëjnë pas asistit të Lahm. Miqtë, ashtu si një vit më parë, duan ta mbyllin që në Londër çështjen e kualifikimit dhe dendësojnë tiki-takan e tyre. Luhet vetëm në një gjysmëfushë, madje në 20 metrat e fundit të zonës së Fabianskit: Roben që torturoi Monrealin në të majtë provon goditjen bilardo, por nuk shënjestron portën. Pep luan kartën Pizarro. Është pikërisht peruani që fut në kolaps mbrojtjen angleze dhe i lejon Mylerit të shënojë si në stërvitje i vetëm me kokë, pas një tjetër asisti të Lahm. Në fund shtylla i pengon tripletën miqve me Kros, por avantazhi i dyfishtë mjafton për t’u rikthyer të qetë në Mynih. Për Arsenalin e njëjta histori: i duhet një mrekulli në “Alianc-Arena” më 11 mars, për të mos u eliminuar për herë të 4-t radhazi nga 1/8-at e Champions-it.
Kros, njeriu i ndeshjes: Kam luajtur edhe më mirë
Në minutën e 72-të kishte prekur 140 herë topin, më shumë se gjithë mesfusha e Arsenalit: 32 herë Uilsher, 27 Flamini, 32 Ozil dhe 23 Çembërlein. Një gol, një shtyllë dhe ideatori i aksionit që solli penalltinë e Robenit shpallën Toni Krosin me të drejtë lojtarin më të mirë të ndeshjes: “Nuk e di nëse luajta ndeshjen time më të mirë me Bajernin, sepse mendoj që kam pasur paraqitje edhe më të mira përpara kësaj. E rëndësishme është që konfirmuam formën tonë të Bundesligës përballë një prej ekipeve më të mira të Europës. Në 15′ e para patëm pak fat edhe me penalltinë. Nëse Ozil do shënonte, gjërat do ishin më të vështira. E dimë që asgjë nuk është vendosur edhe pas kësaj fitoreje”.
Fitoret në transfertë, barazojnë Ajaksin
Me triumfin në “Emirates Stadium”, Bajerni i ka fituar të 7-ta ndeshjet e fundit në transfertë në Champions, duke barazuar kështu rekordin e Ajaksit të Amsterdamit. Ndërkohë që për Arjen Robenin ishte penalltia e 3-të e fituar këtë sezon në Champions, më shumë se çdo lojtar tjetër i kompeticionit. Mesut Ozil humbi penalltinë e dytë këtë sezon, ndërkohë që prej gushtit 2010, vetëm skuadra e Guardiolës (4) ka humbur më shumë penallti sesa Arsenali në Champions (3). Në 13 ndeshjet e fundit zyrtare në të gjitha kompeticionet Arsenali kishte mbyllur plot 11 pa pësuar asnjë gol, duke u ndëshkuar vetëm në dy raste. Vetëm 12% të zotërimit të topit pati Arsenali në pjesën e dytë (38 pasime).
“Penalltia na ‘vrau’, nuk dorëzohemi akoma”
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ndihet shumë i zhgënjyer për rezultatin e ndeshjes. Ai mendon se duhet ta kishin fituar bindshëm këtë sfidë, por humbja e penalltisë nga ana e Ozilit ndikoi negativisht te lojtarët dhe tifozët. “Ne bëmë gabime të mëdha, por shpirti i garës ishte fantastik. Penalltia “e vrau” mbështetjen e zjarrtë që kishte tifozëria dhe uli disi optimizmin te futbollistët. Ndikoi negativisht në ecurinë e lojës. Më pas, kur mbetën me 10 lojtarë e patëm akoma më të vështirë, pasi duhet të shpenzonim më tepër energji në fushë”, tha tekniku anglez. Mbi mënyrën se si e ekzekutoi Ozil, ai shtoi: – “Mua më pëlqejnë njerëzit që marrin përgjegjësi. Secili ka stilin e tij për të ekzekutuar 11- metërshat. Tashmë ka pak rëndësi. Ne humbëm ndeshjen dhe duhet të mendojmë për sfidën e kthimit. Kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer vitin e kaluar në Mynih dhe mund ta përsërisim edhe këtë edicion. Nuk i humbasim shpresat, edhe pse e dimë që është shumë e vështirë”, përfundoi deklaratën e tij Arsen Venger.
“Shumë e vështirë kur ke 9 kundërshtarë në zonë”
Pep Guardiola pranon se Arsenali ishte ndjeshëm superior në fillim të lojës, por shprehet se në pjesën e mbetur të ndeshjes Bajerni i tij dominoi dhe kundërshtari u detyrua të mbrohet me të gjitha forcat. “Arsenali ishte shumë, shumë herë më mirë se ne në 20 minutat e para. Arritën të jenë superiorë në çdo aspekt dhe të krijojnë disa mundësi të mira shënimi. Pas daljes me të kuq të portierit, gjithçka ndryshoi. Mendoj se arbitri mori vendim të drejtë, pasi ishte lojtari i fundit dhe duhej ndëshkuar maksimalisht”, deklaroi tekniku i Bajernit. Sa i përket pjesës së dytë, spanjolli deklaron se e patën të vështirë, për shkak të mënyrës se si luajti Arsenali. “Kur ke përballë një ekip që mbrohet me të gjitha forcat, nuk është aspak e lehtë. Ata kishin plot nëntë futbollistë në zonën e tyre dhe normalisht nuk mund të gjesh hapësira. Gjithsesi, u treguam të duruar dhe arritëm të shënojmë”, tha Pep. Në fund, ai e mbylli me një koment për ndeshjen e kthimit: – “Vitin e kaluar kanë luajtur mirë në Gjermani ndaj Bajernit. Gjithçka varet nga mënyra se si do hyjmë ne në fushë psikologjikisht. Duhet të jemi të karikuar”.
“E nisëm keq, por dominuam për 70 minuta”
Kapiteni i bavarezëve, Filip Lahm, mendon se fitorja 2-0 është e mjaftueshme për t’u lehtësuar kualifikimin në raundin tjetër. Megjithatë ai nuk harron edhe të “shkundë” shokët e skuadrës. “Duhet të mësohemi që ta nisim një ndeshje më mirë. Ndaj Arsenalit e patëm shumë të vështirë në fillim të lojës dhe kjo duhet të shërbejë si leksion. Në fund, rezultati na kënaq të gjithëve. E dimë që një fitore 2-0 në transfertë është e mjaftueshme për të qenë shumë pranë kualifikimit. Por, kjo nuk nënkupton që të mendojmë se ka mbaruar gjithçka”, – u shpreh gjermani. “Përveç 20 minutave të para, në pjesën tjetër të lojës ishim ne që dominuam. Skuadra ka potencial të jashtëzakonshëm, thjesht duhet të jetë më tepër e përqendruar gjatë gjithë ndeshjes”, – përfundoi Lahm.
“Nuk e merituam këtë rezultat, por besojmë ende”
Mbrojtësi Per Mertesaker nuk dëshiron të dorëzohet për kualifikimin në raundin tjetër të Champions-it. “Vitin e kaluar ne humbëm 1-3 në fushën tonë, por fituam 2-0 në Gjermani. Zhvilluam një paraqitje të shkëlqyer në fillim të lojës dhe nëse bëjmë të njëjtën gjë për 90 minuta në Mynih, mendoj se do arrijmë të kualifikohemi”, – tha shtatlarti. “E merituam një gol në fillim dhe mund ta kishim realizuar kur fituam penallti. Pasi portieri ynë mori karton të kuq, skuadra mendoi më tepër për t’u mbrojtur, pasi ishim në barazim 0-0. Nuk e merituam humbjen me atë rezultat. Mbase po të kishim humbur vetëm 1-0, do kishim qenë akoma më optimistë për përmbysjen”.
“Kisha parandjenjë të keqe për Ozilin”
Trajneri i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv, ka deklaruar se ndjeu që Mesut Ozil nuk do arrinte të tregohej i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, që në momentin që mori topin për ta gjuajtur. “Pata një parandjenjë të keqe për Mesut, sapo e pashë që do e gjuante. Nuk ka të bëjë me aftësinë që ka për të ekzekutuar 11-metërshat, por sepse Nojer e njeh mirë prej kombëtares. Çdo futbollist e shikon portën para se të godasë, por Manuel është praktikuat shumë herë me Ozilin. Gjithsesi, nuk mendoj se ajo penallti e humbur ndikoi në fatin e takimit”, – deklaroi Lëv.