Dionis Avdijaj, 17-vjecari thyen rekorde ne Gjermani
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një tjetër adoleshent i talentuar me origjinë shqiptare ka pushtuar faqet e para të mediave sportive ndërkombëtare. Pas Adnan Januzajt e Valmir Berishës, radhën e ka sulmuesi 17-vjeçar i Shalkes, Dionis Avdijaj, i cili shumë shpejt do të kthehet në lojtarin me klauzolën më të lartë të largimit në kontratën e tij në futbollin gjerman.
Sulmuesi 17-vjeçar nuk ka luajtur asnjë ndeshje me ekipin e parë të Shalkes, por talenti i tij është i padiskutueshëm, siç e vërteton statistika e frikshme prej 44 golash në 25 ndeshje me ekipin U-17 të këtij klubi. Duke ndjekur ecurinë e jashtëzakonshme të lojtarit dhe interesimin në rritje të klubeve të njohura europiane, mes të cilave edhe gjigantët e Liverpulit, klubi ka menduar që të sigurojë sa më shpejt të ardhmen e tij.
Sipas së përditshmes gjermane “Bild”, Shalke do t’i vendosë para në tavolinë futbollistit një kontratë prej profesionisti në ditët në vazhdim, marrëveshje e cila do të përfundojë në vitin 2019. Marrëveshja zyrtarisht firmoset vetëm pas gushtit, kur ai të mbushë 18 vjeç, por për të blinduar lojtarin dhe për të siguruar që ai do të qëndrojë në këtë klub deri në mbylljen e kësaj kontrate, drejtuesit e Shalkes do t’i vendosin atij një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh. Ky do të jetë rekordi i ri i futbollit gjerman, ku deri tani, klauzolën më të lartë në kontratë e mban një tjetër futbollist i Shalkes, Julian Draksler, me 45.5 milionë euro. Menaxheri i klubit, Horst Heldt, ka bërë të qartë se të gjithë i kanë sytë nga talenti i Avdijajt. “Nuk komentoj mbi kontratat e lojtarëve tanë. Por Dionisi është një lojtar ofensiv me aftësi të jashtëzakonshme. Megjithatë, vetëm talenti nuk është i mjaftueshëm, është edhe çështje koke”, tha ai, duke lënë të kuptohet se lojtari 17-vjeçar ka ende punë për të bërë para se t’i jepet mundësia për të shpërthyer në futbollin profesionist gjerman.
Futbollisti me prindër kosovarë, i lindur në Osnabruk të Gjermanisë, ka bërë bujë në mediat gjermane edhe me vetëbesimin e tij që shpesh cilësohet i tepruar. “Modelet e mi janë vetëm Mesi dhe Ronaldo, unë shoh vetëm për maksimumin”, është një deklaratë e lojtarit që qarkullon prej kohësh në internet, ashtu si ajo ku sulmuesi komenton vendimin e trajnerit të U-17 për ta ulur në stol me batutën “ndoshta do të mbrojë kundërshtarët”. Pikërisht këto fjalë kanë bërë që klubi i Shalkes të jetë më i kujdesshëm me trajtimin e këtij talenti që premton shumë.
Avdijaj është kontaktuar prej kohësh nga FSHF, për ta bindur që të veshë fanellën kuqezi, por ai e ka refuzuar një mundësi të tillë, duke pasur parasysh se ka pasur gjithmonë të hapura dyert e kombëtares gjermane. Fillimisht ai ka luajtur me kombëtaren U-16 të këtij vendi, duke shënuar 2 gola në po aq ndeshje të luajtura. Më pas, ai u bë pjesë e përfaqësueses U-17 në edicionin e fundit, duke shënuar 10 gola në 13 ndeshje që ka zhvilluar kjo kombëtare. Sipas mediave gjermane, lojtari mund të bëhet menjëherë pjesë e kombëtares U-19 të Gjermanisë, duke djegur etapat për shkak të përmirësimit të tij të ndjeshëm.
Rekordi ekzistues i futbollit gjerman i përket Julian Draksler, i cili ka një klauzolë prej 45.5 milionë eurosh në kontratë
Dionis Avdijaj është pjesë e kombëtares U-17 të Gjermanisë, me të cilën ka shënuar 10 gola në 13 ndeshje të luajtura