E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ra ky gzim e u pamë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ra ky gzim e u pamë

ylli-agaNga YLLI AGA

Na kanë mësuar se historia e shqiptarëve është e trishtueshme. Në mijëra vjet mund të numërohen me ditë festat, gëzimet apo momentet e bukura.

Gjithçka tjetër i ngjan një ditari të stërmadh, të shkruar me "këmbë" pushtuesish dhe udhëheqësish të liq, që kanë mbjellë frikë, pasiguri, vuajtje dhe varfëri.

Si një mallkim, një vend që duhej të ishte parajsa mbi tokë, i është veshur një kostum-zhele, duke e bërë të padenjë për të hyrë në sallone të mëdha. Por, për fat, si në shumë ditë të historisë së këtij vendi, një grup djemsh, shqiptarë dhe bij shqiptarësh ia dolën ta vendosin këtë vend në një rang me të gjithë të mëdhenjtë e kontinentit.

Gjatë ditëve të qershorit, Franca do të jetë e pikturuar me ngjyrat kuqezi. Gjithkush mund të ketë pasur dyshime në miqësoren me Gjeorgjinë, nëntorin e kaluar, nisur nga bojkoti i tifozëve dhe atmosfera e akullt në "Qemal Stafa". Si në shumë histori shqiptare, kur jo rrallë është nxituar "për një plesht të djegin jorganin", edhe në këtë pikëpyetjet u shtuan.

A do të jenë tifozët në krah të ekipit kombëtar? A do të jenë ata lojtari i 12-të apo do të luajnë ndeshjen e tyre? Për fat, mungesa e ndeshjeve duket se ka sjellë një lloj reflektimi dhe inati i shqiptarit duket se është zëvendësuar me mërinë e një tifozi, plagët e të cilit i shëron koha. Përgjigjja më e mirë ishte pjesëmarrja, entuziazmi dhe koreografia e tifozëve në Austri dhe në Luksemburg.

Përtej rezultateve, lojës së zhvilluar, tre golave të shënuar, fitorja më e rëndësishme ishte në shkallët e stadiumit. Tani po, gjithkush mund të jetë i sigurt, Franca do të jetë destinacioni i preferuar për shumë shqiptarë-kuqezinj. Ndeshjet e ekipit tonë kombëtar do t'u ngjasojnë dasmave tipike shqiptare, masive, të zhurmshme, të gëzueshme. Një mesazh të tillë me siguri tanimë e ka marrë edhe skuadra. Nëse në Luksemburg për t'i mbështetur ishin me mijëra, Lens, Marsejë dhe Lion duhet të jenë të përgatitur për të pritur transferta masive të tifozëve, ku stadiumet e tyre do të fiksojnë koreografi krejtësisht origjinale.

Sigurisht çdonjëri prej tyre do të ëndërronte të merrte edhe suksesin sportiv, por në fakt vetë pjesëmarrja aty është një ëndërr e bërë realitet dhe, në këtë pikë, çfarëdo që të ndodhë ka mirëkuptimin e shumëkujt. E sigurt është që secili futbollist, që do të përzgjidhet nga trajneri De Biazi do të japë gjithçka për të lënë gjurmë në këtë aktivitet madhështor dhe për të bërë krenar çdo shqiptar.

Ditët e EURO 2016 pritet të jenë nga më të bukurat e historisë së shqiptarëve dhe, pavarësisht se mund të ketë edhe qejfmbetje, për futbollistët që s'do të munden të jenë në listën zyrtare, për tifozët që nuk do të munden të sigurojnë bileta, sërish dominues duhet të jetë motoja "ra ky g'zim e u pamë".