Miqësoret, trajneri: Në maj do jemi me bateri të karikuara
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhani De Biazi i cilëson pozitive përgjigjet që ka marrë nga lojtarët e aktivizuar në dy ndeshjet miqësore kundër Austrisë dhe Luksemburgut.
Trajneri i Shqipërisë, duke folur për "Supersport", theksoi se për të qenë gati në Europian, nevojitet që në maj ekipi të jetë me bateri të karikuara. "Ishin dy ndeshje të ndryshme të luajtura në kushte të ndryshme. Ndiej keqardhje për mënyrën se si zbritëm në fushë ndaj Austrisë.
Sa i përket ndeshjes me Luksemburgun, jam i kënaqur, pasi fusha ishte vërtet në gjendje të keqe. Ndryshimet ishin të gjitha të llogaritura, pasi duhej t'i provoja, t'i shihja lojtarët dhe të kuptonim se çfarë do të ishin në gjendje të bënin. Mendoj se përgjigjet ishin pozitive, por nuk duhet të harrojmë që kemi bërë hapa gjigantë gjatë këtyre viteve të fundit.
Përpos kualifikimit në Europian, skuadra ka identitet, është një ekip i ri dhe me perspektivë. Në Luksemburg aktivizuam edhe Rashicën, që nga pikë- pamja e perspektivës është mjaft i mirë, sepse ende nuk është as 20 vjeç.
Të gjitha shenjat janë të mira që kjo rrugë e nisur të jetë ajo e duhura. Për të qenë gati për Europianin nevojitet që në maj të arrijmë me bateritë e karikuara. Të përpiqemi të punojmë mirë në Austri gjatë grumbullimit. Më pas të vazhdojmë të luajmë shanset tona, të zbresim në fushë pa presion të tepruar. Tifozët tanë nuk do të mungojnë asnjëherë për të mbështetur skuadrën", është shprehur fillimisht trajneri kuqezi.
Në fund, i pyetur për dy humbjet e Zvicrës, kundërshtari i parë në Europian, De Biazi nuk i kurseu batutat. "Kriza te Zvicra? Ndoshta u fsheh. Edhe ne u munduam të humbisnim me Austrinë, për të treguar që nuk kemi kualitet", përfundoi De Biazi.