Mohelebi: Sherr me shokët, ja pse ika nga Tirana
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lorent Mohelebi nuk është një emër i pan johur për Tiranën, por sigurisht jo të gjithë mund ta mbajnë mend, pasi luajti shumë pak me fanellën e bardhebluve.
Më konkretisht, vetëm 4 ndeshje kur ekipi drejtohej nga Ilia Lonçareviç, dy kundër Stabek në Europë dhe dy të tjera në kampionat, ndaj Skënderbeut dhe Flamurtarit. Por gjithkush mund ta kujtojë mesfushorin e majtë francez për të kuqin që mori në Norvegji (në humbjen 4-0, më 21 korrik 2009), vetëm 11 minuta pasi ishte futur në fushë. Francezja "yourzone.beinsports.fr" i ka dedikuar një speciale brezit të artë të Monakos, të viteve 2003-2004, që shkuan deri në finalen e Champions-it. Evra, Roten, Zhuli dhe Morientes ishin emrat që dalluan, por është edhe një kategori që tashmë është lënë në harresë.
Pjesë e atij kontingjenti ka qenë edhe Mohelebi, kampion bote me 17-vjeçarët e Francës, që ndryshe nga futbollistët e mësipërm pati vetëm rënie në karrierën e rij. Pas afro 7 vitesh, ai rrëfen përvojën në Shqipëri dhe zbulon të vërtetën e largimit nga Tirana.
Pas eksperiencës te PSG-ja në 2007-ës, ai u transferua te Tirana e saposhpallur kampione. Dhe debutimi i tij përkoi me raundin e dytë të kualifikueseve të Ligës së Kampionëve, kundër Stabaekut. Ndeshja e parë u mbyll 1-1 dhe u aktivizua në 30 minutat e fundit, ndërsa e dyta ishte katastrofë, pasi humbën 4- 0 dhe rrjedhimisht u eliminuan.
Por zhgënjimi u shtua, pasi përvoja e tij te Tirana mbaroi sa hap e mbyll sytë. "Kisha firmosur kontratë 2- vjeçare me Tiranën, por u largova pas mosmarrëveshjeve që pata me lojtarët e ekipit. Pastaj jeta atje nuk ishte e lehtë dhe sidomos për dy djemtë e mi", thotë ish-mesfushori, i cili në fakt zgjidhi kontratën para se të hapej merkatoja e janarit. Vendimi i klubit asokohe u argumentua prej karakterit të vështirë që ai kishte dhe nuk donin që të prishnin frymën e grupit.
Pas kthimit në Francë, nisi të mendonte për të gjetur një tjetër ekip për të vijuar karrierën, por edhe një punë. Në 2010- 2011 nënshkroi për Issy AS Ararat, por njëherësh u kontratua si topograf nga një firmë ndërtimi. Por nuk e la më kaq, pasi vitin pasardhës shkoi në Spanjë, në divizionin e tretë, ku firmosi për Atletiko Baleares. Dhe pikërisht në tokën spanjolle i dha fund edhe futbollit, një lojtar që në nisje të karrierës ishte një kampion. "Njerëzit flasin ende për mua, por termi 'kampion' tashmë për mua ka mbetur vetëm si një titull", deklaronte në mbyllje Mohelebi, i cili nga topograf është bërë një sipërmarrës ndërtimi.
Përgatiti: ADELA MERKO