Flamurtari, rrezikohen tri pikë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Flamurtari është në luftë me kohën për borxhin ndaj Rajoviçit.
Bashkia vazhdon të mos reagojë, paçka se administratori Idrizi i ka bërë disa herë thirrje që të mbyllë këtë detyrim që i takon institucionit vendor.
Të paktën brenda kësaj jave duhet që të bëhet pagesa, ndryshe nga FIFA do të vijë vendimi i radhës për heqje pikësh. Burime pranë klubit vlonjat bëjnë me dije për "Panorama Sport" se ultimatumi skadon brenda katër ditëve të mbetura kësaj jave, në të kundërt pritet të përsëritet precedenti i "Toni Pezo".
Edhe pse për këtë rast Flamurtari pagoi në limitet e afateve, FIFA i hoqi tri pikë nga klasifikimi. Alarmi është në prag, ndaj nëse nuk jepen 17 mijë euro për Blazho Rajoviçin, atëherë pritet që ndërkombëtarët të marrin vendim të formës së prerë. Dhe, nga sa mësohet, klubi s'e ka paguar borxhin ndaj lojtarit.
Zgjidhja
Dihet se ka vetëm një rrugë për të zgjidhur këtë çështje dhe për të shpëtuar tri pikët. Pagesa është e vetmja zgjidhje dhe në një kohë sa më të afërt. Dhe nëse bashkia nuk reagon, atëherë administratori Sinan Idrizi nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shlyejë ai borxhin. Por, çështja mësohet se po lihet në limite për të parë reagimin e institucionit vendor që deri më tani nuk ka ardhur.
Burimet pranë administratorit Sinan Idrizi bëjnë me dije për "Panorama Sport" se në këto kushte klubi pritet që ta paguajë vetë borxhin prej 17 mijë euro. Burimet bëjnë me dije se ai, duke parë heshtjen e Bashkisë Vlorë, pritet ta mbyllë këtë borxh. E gjitha kjo bëhet për të mos shkuar deri te penaliteti dhe heqja e pikëve. Por, rreziku ende nuk ka kaluar pa u shprehur përfundimisht FIFA. Dhe Flamurtari e ka ende të freskët rastin "Pezo", që edhe pse e pagoi, në fund e pësoi.
Borxhet
Por lista e debiteve nuk mbyllet me Rajoviçin, pasi nuk është as i pari dhe as i fundit. Klubi pritet që të përballet me të tjera borxhe. Bëhet fjalë për detyrime ndaj ish-trajnerëve dhe ish-lojtarëve. Gjatë këtyre ditëve Ernest Gjoka pritet t'i drejtohet gjykatës për pagat e prapambetura.
Ish-trajneri kërkon 45 mijë euro nga ana e bashkisë. Bëhet fjalë për sezonin 2013-2014, kur ai ka qenë në krye të pankinës vlonjate. Por nuk përjashtohet mundësia që në vazhdim klubi të ndeshet me të tjera gjyqe, nga ish-lojtarë të ndryshëm që mund të kenë rroga të pamarra.
Përgatiti: ERMAL SIKA