Nga Europa te borxhet, e ardhmja vendoset në prill
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Prilli është vendimtar për Tiranën. Ka më shumë se një arsye që e ardhmja e bardhebluve të përcaktohet nga ky muaj.
Në muajin që hyn zyrtarisht nesër, bardheblutë vendosin shumëçka, duke filluar nga misioni "Europë" e deri te borxhet që rrezikojnë ndjeshëm.
Por jo vetëm kaq, pasi 31 ditët e ardhshme pritet që të shoqërohen me rikthimet e mëdha nga infermieria, por do të "vulosin" edhe të ardhmen e të rinjve, apo raportet e krisura me tifozët.
Europa
Në katër ndeshjet që luhen gjatë muajit prill, Tirana vendos shumë sa i përket zonës "Euro". Dy shtëpiake me Tërbunin e Laçin, transfertë me kampionët në fuqi të vendit dhe dueli me Teutën janë vendimtare. Nëse bardheblutë i kalojnë me sukses këto sfida, atëherë do kishin më shumë kredite për të prerë një "biletë" për kompeticionet europiane. Në të kundërt, gjithçka do të vështirësohej.
Rikuperimet
Mungesat janë kthyer në makth për bardheblutë. Prej javësh, Ilir Daja ka pasur një formacion të cunguar prej dëmtimeve. Por pikërisht në prill priten rikthimet e mëdha nga infermieria. Gentjan Muça është në krye të listës dhe gjasat janë që kundër Laçit ai të jetë gati. Por në riaftësim e sipër janë Karan, Teqja dhe Malaj.
Borxhet
Fundi i muajit mars dhe fillimi i prillit sjell "kambana alarmi" edhe nga FIFA. Klubi i Tiranës është duke negociuar për borxhet e shumta dhe sikundër ka deklaruar vetë presidenti Halili shumë shpejt një pjesë e mirë e debiteve që rrezikojnë do të likuidohen. Por nëse kjo nuk ndodh brenda afateve të përcaktuara, atëherë mund të vijnë edhe penalitetet, që shkojnë deri në heqje pikësh.
Tifozët
Që pas derbit kanë nisur bojkotin. Po bëhet afro një muaj që kanë shpallur zyrtarisht "luftë" me klubin. Mungojnë në shkallët e stadiumit, por protestojnë në ambientet e jashtme. Prilli do të jetë vendimtar për Tiranën edhe për rifitimin e tifozëve. Dhe kjo mund të arrihet duke sigluar disa fitore radhazi dhe qenë në garë për Kupat e Europës. Por, e sigurt është që edhe ndaj Tërbunit ata nuk do të jenë në "Selman Stërmasi". Dhe beteja e radhës e bardhebluve është pikërisht "pajtimi" me lojtarin e 12-të.
Akademia
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja lidhet me produktet bardheblu. Këtë vit klubi u ka dhënë prioritet të rinjve. Kjo politikë u kushtëzua në fakt edhe prej mungesave të shumta. Dhe aktualisht në formacionin e Ilir Dajës nuk mungojnë as emra të talentuar si: Peçi, Deliaj, Halili apo edhe të tjerë. Ky muaj do të jetë vendimtar për të ardhmen e këtyre të rinjve, pasi një paraqitje e mirë e produkteve të Tiranës do të përkthehej edhe me disa elementë cilësorë për sezonin e ri.