e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ferraj kërkon më shumë minuta: Te Kukësi do të fitoj Kupën

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ferraj kërkon më shumë minuta: Te Kukësi do të fitoj Kupën

Ish-mesfushori i Tiranës dhe i Teutës, Nertil Ferraj, tashmë në radhët e nënkampionëve të Kukësit, në një intervistë për "Panorama Sport" shprehet se Kukësi është në rrugën e duhur për Europën dhe Kupën e Shqipërisë. kukesi ferraj miciMesfushori flet për ndeshjen e radhës, duke e cilësuar Bylisin një kundërshtar të vështirë, por të kalueshëm. Ai nuk heziton që të flasë edhe për veten. Ferraj thotë se është ambientuar me skuadrën, pasi aty ka shumë të njohur, duke përfshirë dhe trajnerin me të cilin ka luajtur te Tirana.

Nertil, luani me Bylisin këtë javë...

Është një ndeshje e vështirë, si çdo përballje tjetër e kampionatit në fakt. Por, objektivi ynë nuk ndryshon, shkojmë vetëm për fitore në Ballsh. Ne nuk i druhemi asnjë skuadre në Shqipëri, sepse kemi një ekip cilësor dhe shumë të fortë mbi të gjitha dhe harmoni në grup.

Sipas jush, kush është më e fortë, ambicia për të kapur Kupat e Europës, apo lufta për mbijetesë?

Çdo ekip ka objektivat e veta dhe jep maksimumin. Ne kemi objektivin tonë për Kupat e Europës dhe do të japim maksimumin për ta arritur.

Si e shikoni garën për vendin e tretë?

Mendoj se jemi më lart se rivalët për vendin e tretë dhe e meritojmë ta mbajmë këtë pozicion. Kemi grup më të mirë dhe jemi në pozita më të forta.

Ju jeni një "ish" i Tiranës dhe Teutës. Cilën shihni si rivalen më të fortë për zonën "Euro"?

Kam luajtur me të dyja skuadrat në periudha të ndryshme, po besoj se Tirana ka më shumë potencial se Teuta.

Po gara për Kupën, besoni se do arrini te trofeu?

Mendoj se këtë vit Kukësi i ka të gjitha shanset dhe është favorit për Kupën e Shqipërisë. Shpresoj ta fitojmë ne dhe besoj se do ta fitojmë Kupën e parë për Kukësin dhe për gjithë tifozët kuksianë.

Si po ju duket eksperienca te Kukësi?

Eksperienca te Kukësi është pozitive dhe do ta konkretizojmë në fund, kur të fitojmë Kupën e Shqipërisë.

Nuk po luani shumë, cila është arsyeja?

Për aktivizimin vendos trajneri. Unë jap më të mirën për ekipin me qëllim që ta ndihmoj atë sa herë që të më jepet mundësia.

Në rolin tuaj ka disa lojtarë, i trembeni konkurrencës?

Konkurrenca nuk më tremb, përkundrazi më motivon. Pastaj vendimet i merr trajneri. Unë jam në dispozicion të tij dhe ekipit.

Ka shumë ndryshime Kukësi nga ekipet që ju keni luajtur?

Mendoj se fryma e grupit që ka futur trajneri Duro e ka bërë akoma dhe me të fortë këtë skuadër.

Përgatiti: Skerdilaid Sulozeqi