e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cetkoviç: I qëndrojmë larg fundit, Kupa është primare

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cetkoviç: I qëndrojmë larg fundit, Kupa është primare

Pas dy javëve pushim, Laçi do të nisë kampionatin me një ndeshje në shtëpi, që do të luajë ndaj Partizanit. cetkovicTrajneri Zeka, që ka marrë drejtimin e kurbinasve, pas largimit të Nicës po përpiqet të njohë sa më shumë të jetë e mundur gjendjen e lojtarëve që ka në dispozicion. Me përjashtim të Bardhit, të gjithë lojtarët janë të gatshëm për këtë sfidë delikate.

Gjatë seancës së djeshme stërvitore, stafi teknik kishte parashikuar një ndeshje brenda grupit, ku janë piketuar edhe lojtarët e formacionit. Ndërkohë, pas largimit të Xhejms Adenijit në janar për te Skënderbeu, ekipi e ka përqendruar vëmendjen te forca e grupit dhe tek aftësitë individuale të malazezit Cetkoviç.

"Do të ruajmë stabilitetin si skuadër dhe në kampionat do përpiqemi të qëndrojmë sa më larg atyre ekipeve që rrezikojnë. Kupa? Është ende herët, por për finalen të gjithë jemi të interesuar dhe do të bëjmë më të mirën", ka thënë lojtari nga i cili kurbinasit presin shumë. Në ndeshjen me kryeqytetasit, Laçi synon të mos dalë pa pikë, në mënyrë që t'i qëndrojë larg zonës së ftohtë të klasifikimit. Objektivi i kurbinasve në këtë sezon futbollistik është fitimi i Kupës së Shqipërisë, që i jep edhe biletën për përfaqësimin në Europë. Në gjysmëfinale, Laçi do të ketë përballë Skënderbeun.

Përgatiti: Isuf Myrtaj