e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cungu gjen ekipin fitues, Ademi jep garanci financiare

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cungu gjen ekipin fitues, Ademi jep garanci financiare

Trajneri Armando Cungu, si rrallëherë në këto takimet e fundit, do të ketë të gatshëm për sfidën me Skënderbeun të gjithë lojtarët. cunguMe përjashtim të Polizoi Arbrit që pritet t'i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, në dispozicion të stafit teknik do të jenë edhe Alsid Tafili e Arenc Dibra, të cilët kanë pasur probleme dëmtimesh në javët e kaluara.

Nga ana tjetër, prej disa ditësh me ekipin në stërvitje është bashkuar edhe mbrojtësi Erdenis Gurishta, që u dëmtua rëndë në kokë në ndeshjen ndaj Laçit. Gjendja e tij tashmë është përmirësuar ndjeshëm dhe mjekët i kanë këshilluar të fillojë stërvitjen, por kuptohet që për disa ditë do të kryejë vrapime, në mënyrë që të fillojë të kapë gradualisht ritmin e humbur. Nisur nga ajo që është parë në stërvitjet e fundit, Cungu nuk ka bërë shumë lëvizje për sa i përket formacionit, duke e krahasuar atë me transfertën në Ballsh.

Dragojeviç do të jetë në portë, ndërsa përpara do të ketë katërshen e mbrojtjes, të përbërë nga Pjeshka, Cicmil, Vrapi e Marku. Treshja në qendër të mesfush- ës do të përbëhet nga Krymi, Bardulla dhe Sefa. Lojtarët e krahut, të cilët më shumë do të kenë detyra ofensive, janë Çinari dhe Kalaja. Në majën e sulmit sërish do të jetë Shtubina, por që gjatë lojës mund të ketë edhe një alternim të tij me Kalanë apo Çinarin. Kjo treshe po kalon një formë të shkëlqyer dhe ka shënuar rregullisht, prandaj dhe Cungu beson ndaj Skënderbeut do të jenë sërish sulmuesit që do ta nderojnë skuadrën. Skema 4-3-2-1 ka dhënë efikasitet, prandaj dhe nuk është ndryshuar.

Kryebashkiakja

Voltana Ademi ka premtuar dje një mbështetje të plotë financiare për klubin e Vllaznisë. Kryetarja e Bashkisë Shkodër ka folur për skuadrën gjatë diskutimit për projektbuxhetin e këtij viti.

"Vllaznia do të ketë një mbështetje të plotë financiare nga ana jonë. Ne do të garantojmë në radhë të parë që financat të jenë gjithmonë stabël, pavarësisht se gjatë këtyre muajve mund të afrohen edhe donatorë të ndryshëm për të mbështetur klubin. Për ne ka shumë rëndësi që të mos mbështesim vetëm ekipin e pare, por edhe akademinë Vllaznia, këtë fidanishte ku kanë dalë dhe po dalin çdo vit lojtarë cilësore. Përmes kësaj mbështetje dhe një strategjie, do të bëjmë të mundur që të kemi një tjetër skuadër, me të tjera pretendime në sezonin e ardhshëm. Për të realizuar këto, ne do të sigurojmë fondin e duhur deri në fund të vitit për Vllazninë", ka thënë dje kryebashkiakja.

Përgatiti: Admir Uruçi