e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Punimet ne 'Loro Borici', me ritme te larta

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Punimet ne 'Loro Borici', me ritme te larta

Rindërtimi i stadiumit “Loro Boriçi” vijon me ritme të larta dhe dalëngadalë impianti mitik po mer formë. Pavarësisht se kjo periudhë ka qenë e ngjeshur me impenjimet politike, puna në stadiumin e Shkodrës ka vijuar me intensitet, teksa tashmë tribuna kryesore duket se po mer pamjen përfundimtare.

Nga fotot e postuara në Facebook nga faqja zyrtare e stadiumit “Loro Boriçi” vihet re se tashmë tribuna kryesore ka dalë mbi sipërfaqe dhe po punohet për ndërtimin e katit të tretë të saj. Tapeti i blertë është hequr totalisht ashtu si dhe kullat e ndricimit. Ajo që bie në sy është fakti se tanimë kanë nisur punimet edhe për ndërtimin e tribunave pas portës që gjendej nga krahu i orës elektronike aty ku më parë ekzistonte vetëm një mur rrethues.

Në këto tribuna bie në sy fakti që janë hedhur themelet dhe madje shumë shpejt pritet ndërtimi i tyre. Ristrukturimi i stadiumit “Loro Boriçi” është një investim i Qeverisë Shqiptare në bashkëpunim me FSHF, teksa mendohet që ky stadium të bëhet gati brenda muajit tetor.

Punimet kanë nisur më datën 3 Maj me prishjen e tribunës së vjetër, teksa për një periudhë rreth një muaj e gjysmë janë hedhur themelet e tribunave të reja ndërkohë në tribunën kryesore punimet kanë mbërritur në katin e tretë. Objektivi i vendosur është që më datë 8 Tetor të këtij viti stadiumi të jetë gati për të pritur sfidën Eliminatore të “EURO 2016″ ndaj Serbisë.