e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pritet vendimi i UEFA-s, Serbia trillon autoresine e dronit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pritet vendimi i UEFA-s, Serbia trillon autoresine e dronit

Teksa kanë mbetur dhe pak orë nga vendimi i UEFA-s lidhur me takimin e papërfunduar mes Serbisë dhe Shqipërisë të luajtur në Beograd, Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo Serbe po ndërtojnë linjën e tyre mbrojtëse. Teksa FSHF po punon për të zbardhur të vërtetën e atij takimi, duke faktuar dëmet që iu shkaktuan stafit dhe lojtarëve shqiptarë që prej zbritjes në Beograd, pala serbe trillon filma fantashkencorë për t’i ngecur kopilin në derë Shqipërisë.

Gjithë tymnaja nisi nga një njoftim i Ministrisë së Brendshme të Serbisë, ku deklarohej se Ismail Morina ishte autor i ngritje së dronit me flamurin kuqezi në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Sipas zyrtarëve të kryeqytetit serb mësohet se Morina ka udhëtuar drejt fqinjëve tanë, aspak miq, më datë 11 tetor 2014, dhe në kufi ka kaluar me mjete identifikimi italiane. Ai është strehuar në një hotel fare pranë stadiumit dhe që prej andej ka kryer pikërisht aktin “kriminal” të ngritjes së flamurit të kombit të tij përmes një droni. Për të realizuar skenarin e tij, si ekspert i teknologjisë kishte përdorur një telefon hi-tech, Iphone, me të cilin komandoi dronin.

32-vjeçari pas kësaj është larguar nga Serbia menjëherë. Për sa më lart, Ministria serbe e Punëve të Brendshme ka lëshuar një urdhër arresti për shtetasin Ismail Morina. Pikërisht nga ky lajm, mediat dhe Federata Serbe e Futbollit kanë nisur të trillojnë një film me imagjinatë të tepruar, duke ngritur në këmbë një alibi për të provuar fajësinë e vendit tonë në trazirat e ndodhura një javë më parë në Beograd. Mediat deklarojnë se kanë prova që Morina njihej prej kohësh me vëllain e kryeministrit shqiptar, Olsi Rama dhe që të dy kanë programuar deri në detaje planin për të futur dronin në stadium. “Shakaja” aspak e këndshme e mediave serbe shkon deri aty sa trillon që Morina, falë aftësive të tija alpiniste është ngjitur në majën e një kishe dhe prej andej ka nisur dronin drejt stadiumit, ndërsa në brendësi të stadiumit drejtimin e dronit e ka marrë Olsi Rama, duke nxjerrë në këtë mënyrë, përmes këtij skenari që edhe regjisorët e Hollivudit do ta kishin zili, vëllain e Kryeministrit shqiptar, fajtor për gjithçka dhe prej këndej edhe vendin tonë si hartues të këtij skenari keqdashës. Gjithsesi ky lajm, ashtu si shumë të tjerë që qarkullojnë në Serbi, nuk bën gjë tjetër veçse ushqen me lugën bosh orekset e pangopura të propagandistikës antishqiptare që serbët e kanë aq për zemër. Ndryshe nga fqinjët tanë aspak miq, Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur një fushatë mbledhjesh informacioni.

Pamje, foto dhe gjithçka tjetër që nevojitet për të ngritur një mur mbrojtës të shëndoshë dhe të parrëzueshëm nga intrigat e avokatëve të Serbisë. FSHF ka dërguar faks-email në klubet ku aktivizohen lojtarët shqiptarë për të marrë raporte mjekësore për gjendjen e lojtarëve, ndërsa janë dokumentuar me foto dhe shkrim. Burime pranë FSHF-së bëjnë të ditur se Taulant Xhaka ka pësuar një të çarë në ballë, Lorik Cana me disa shenja në fytyrë, Lenjani i gërvishtur në qafë apo edhe Burim Kukeli i dëmtuar në hundë. Po ashtu edhe Bekim Bala, i cili është i dëmtuar në krah pas stolit të marrë nga tifozi serbë që po “vallëzonte” në fushë pa u shqetësuar nga Forcat e Rendit të Serbisë, të cilët edhe ata me veprimet dhe mosveprimet e tyre janë pjesë e dhunës të martën e shkuar në Beograd. UEFA ka lajmëruar se gjatë kësaj jave do të hetojë Serbinë dhe Shqipërinë për akuza të ndryshme në lidhje me gjithçka ndodhi në sfidën e së martës. Vendimi do të jepet më 23 tetor nga Komisioni i Disiplinës pranë institucionit të futbollit europian.