e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Presioni mbi të kuqtë, ja terapia e Takajt për Partizanin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Presioni mbi të kuqtë, ja terapia e Takajt për Partizanin

Skënderbeu prej ditës së djeshme është "ngujuar" në Durrës duke nisur kështu edhe grumbullimin për ndeshjen e sotme në kryeqytet kundër Partizanit.takaj123 Duke parë se grumbullimi është bërë në resortin e kampionëve, vetë presidenti Takaj ka përfituar për të mbledhur ekipin në një takim të fundit para ndeshjes me Partizanin.

Takaj, ashtu sikundër bën gjithmonë, u ka dhënë siguri lojtarëve dhe i ka mbështetur në prag të një ndeshjeje kaq të rëndësishme, duke i bërë që ta harrojnë presionin, por të jenë të përqendruar vetëm te takimi i sotëm.

Në një mbledhje që ka zgjatur rreth 20 minuta, numri një i klubit bardhekuq ka dashur të heqë të gjithë presionin e mundshëm nga lojtarët, presion që mund të jetë grumbulluar gjatë këtyre ditëve të përgatitjes së këtij takimi. Veç të tjerash, Takaj duket se ka siguruar ekipin.

"Ndeshja e nesërme (sotme) është thjesht një ndeshje radhe për ne. Mbeten edhe shumë ndeshje për t'u luajtur, prandaj asgjë nuk mbaron sot.

Duhet të jeni të përqendruar vetëm te takimi i radhës dhe të mos mendoni asgjë tjetër. Presioni është i gjithi mbi ata dhe jo mbi ne, pasi ata kërkojnë fitoren me çdo kusht.

Ne do të jemi më të qetë dhe dua që këtë qetësi ta transmetoni edhe në fushë duke qarkulluar topin dhe duke interpretuar lojën sikundër dini ta bëni ju. Jemi mësuar me ndeshje të tilla të rëndësishme, madje edhe më të rëndësishme se kjo dhe kemi ditur t'i përballojmë mjaft mirë", u ka thënë ndër të tjera lojtarëve presidenti i Skënderbeut, Takaj.