Emini: Ky Kukës i pandalshëm, ja kujt ja dedikoj golin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në fillim e kërkuan shumë skuadra dhe vetëm Kukësi i dha besimin dhe arriti të sigurojë shërbimet e tij. Është një nga lojtarët e momentit, jo vetëm për Kukësin, por pa frikë edhe për kampionatin shqiptar.
Bomberi ka mjaftuar në shumë ndeshje për kuksianët, të cilët tashmë e kanë arritur vendin e tretë me atë në krye. Pas golit të djeshëm, Izair Emini shprehet shumë i kënaqur për golin dhe për fitoren e 4 radhazi të skuadrës në prononcimin për "Panorama Sport" pas ndeshjes.
"Jam shumë i kënaqur, pasi me golin tim arritëm përsëri të fitonim ndeshjen. Kjo më gëzon shumë, pasi arritëm fitoren e katërt radhazi dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm e të mos ndalemi me kaq.
Normalisht që kënaqem që po shënoj rregullisht, por e rëndësishme është që po tregojmë vazhdimësi rezultatesh pozitive dhe kjo na motivon akoma më shumë ndeshje pas ndeshjeje", shprehet fillimisht sulmuesi.
Ai tregon edhe premtimin e mbajtur dhe dedikimin që ka për golin e shtatë personal. "Ia dedikoj djalit tim, pasi nuk e kam parë që prej një jave dhe i premtova se do shënoj për të.
Synimi im i vetëm është të vijojmë me fitore dhe të arrijmë objektivat, pastaj edhe për mua personalisht shpresoj të gëzoj këtë formë deri në fund të kampionatit.
Dihet që objektivat e klubit janë fitimi i kupës dhe dalja në Europë përmes vendit të tretë, ndaj ne do japim gjithçka për t'i arritur. Shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe unë kam besim te shokët e skuadrës, te stafi, trajneri dhe te forma ime që në fund do arrijmë ato që duam", përfundon bomberi i Kukësit.