e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Prandeli: Tashme Kroacia eshte vendimtare per ne

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Prandeli: Tashme Kroacia eshte vendimtare per ne
Pas debutimit me barazim ndaj Spanjës në finalet e “Euro 2012”, trajneri i axurrëve, Cezare Prandeli nuk lë në harresë objektivin e kualifikimit. “Me Kroacinë do të jetë loja vendimtare e raundit të grupeve, – thotë Prandeli, i cili ndalet sërish të flasë për barazimin 1-1 me Spanjën. – Ne e bëmë mirë punën tonë. Veçanërisht në gjysmën e parë të ndeshjes, Kasano dhe Baloteli luajtën si duhet, jam i kënaqur prej tyre, por ajo që mund të djegë është fakti se Mario duhet të luajë më shumë në thellësi, por nga ana tjetër nuk dëshiron të jetë i vetëm në sulm. De Rosi? U mundua jashtëzakonisht shumë, por duhet të lëvizë më tepër.”

Vendimtare po, por jo një sfidë e lehtë karshi Kroacisë së Slaven Biliçit, që bëri një debutim të përkryer ndaj Irlandës. “Do të jetë një ndeshje e luajtur në detaje, – shpjegon Prandeli. – Një ndeshje për t’u fituar patjetër, që kërkon të vihen në dispozicion të gjitha energjitë dhe mundësitë e lojtarëve tanë. Kroacia ka një ekip të rrezikshëm për shkak se është më e paparashikueshme në lojë. Ndryshimi ynë për këtë përballje duhet të jetë shumëplanësh, sepse Kroacia është një ekip i vërtetë.”