e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Prandeli: Kjo Itali do luaje me zemer

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Prandeli: Kjo Itali do luaje me zemer
Çezare Prandeli është gati për ndeshjet më të rëndësishme të tij si trajner i Italisë. Të kaltrit do të luajnë në stadiumin e Poznanit ndaj Republikës së Irlandës. Prandeli shprehet se ka besim se Spanja nuk do të marrë një rezultat të volitshëm si për të, ashtu edhe për Spanjën. Kjo Itali do të ketë ndryshime në formacion, ndërsa Mario Baloteli mund ta nisë nga stoli. Në fillim tekniku flet për rivalët e radhës, Irlandën e Xhovani Trapatonit. “Irlanda tani mund të luajë lirshëm, pasi nuk ka asgjë për të humbur. Është një ekip që lufton, i fortë në lojën në ajër, që rrezikon me kundërsulme. Ka krenarinë kombëtare, kapacitetin për të vuajtur dhe ka një qëllim që t’u dhurojë fitoren tifozëve të saj”, – tha Prandeli.
Taktika – Në çdo rast Italia do të jetë një skuadër sulmuese. “Për 90 minuta do të përpiqemi që të bëjmë gol. E pamë që ndaj Kroacisë e mbajtëm avantazhin duke luajtur në këtë mënyrë. Kur nisëm të menaxhonim lojën, patëm probleme”. E nëse kjo sfidë shkon keq, Prandeli shprehet: “Jemi të bindur se mund t’ia dalim! Megjithëse, nëse do na ecin gjërat keq, do të marrim përgjegjësitë tona. E pastaj kur të jemi të qetë do t’i analizojmë arsyet”. I pyetur se çdo të bëjë për Evropianin tekniku shprehet: “Si fillim takohemi për finalen, e pastaj të shohim”.

Revolucioni – “Duhet që të ndryshojmë përgjatë zhvillimit të një sfide, e nga një sfidë në tjetrën. Ashtu siç e shikoj unë futbollin, nëse luajmë me mbrojtjen me 3 lojtarë, Rosi luan pas. Nëse luajmë me 4, duhet t’u japim sulmuesve tanë mundësinë që të kenë pasime për gol. S’dua që t’i japë kundërshtarëve tanë avantazhin me formacionin që përzgjedh. Na duhet që të japim dhe të marrim emocione në këtë ndeshje”. Prandeli e shikon këtë provën më të vështirë të tij. “Po, ky është takimi më i rëndësishëm i karrierës sime”.

Spanja – “Varet gjithçka nga ne. Duhet vetëm të mendojmë për rezultatin. Është e pakonceptueshme që të mendojmë që një ekip si Spanja, që gjithë imazhin e saj e bazon në lojë dhe spektakël, të programojë rezultatin e një ndeshjeje. Ne duhet të fitojmë me Irlandën dhe i kemi mundësitë ta bëjmë”.

Dueli- Sfida e sotme do të rezervojë një përballje mes Prandelit dhe ish-teknikut të tij, Xhovani Trapatoni. “Është gjithmonë emocionuese të përqafosh atë dhe Tardelin. Sikur të gjenim gjithmonë këtë klimë para një takimi kaq të rëndësishëm… Për mua Trapatoni do të jetë gjithmonë ‘misteri’. Jam rritur me të, e nga një pikë vështrimi njerëzor i ka respektuar të gjithë. Merrte në konsideratë edhe atë që luante më pak. Është njeri i jashtëzakonshëm”, – u shpreh Prandeli. Tekniku i të kaltërve tha se në fund do të jetë skuadra e tij që do i mposhtë irlandezët, edhe pse kjo sfidë s’ka për të qenë aspak e lehtë.

Lipi: Italia do të eliminohet

Ndryshe nga kolegu i tij Xhovani Trapatoni, një tjetër ish-trajner i skuadrës kombëtare italiane, Marçelo Lipi, e sheh shumë të vështirë misionin e të kaltërve në ndeshjen ndaj Irlandës. Lipi është i bindur se ekipi italian nuk do të arrijë të kualifikohet edhe për shkak të aleancës që spanjollët do të bëjnë me kroatët. “Jemi në një pozitë shumë delikate dhe më vjen keq që kemi arritur deri këtu. Personalisht e shoh shumë të vështirë që, Italia të arrijë të kualifikohet duke qenë se jo gjithçka varet nga ndeshja e saj. Kombëtarja, të cilën unë e kam drejtuar, mund ta fitojë me shumë lehtësi takimin ndaj Irlandës, por mund të mos mjaftojë pasi, nga ana tjetër, Spanja mund të bëjë gjithçka”, – tha tekniku aktual i ekipit kinez të Guanzhusë.

Njeriu që e udhëhoqi Italinë drejt fitimit të Kupës së Botës në vitin 2006, mendon se iberikët mund të lënë një barazim që u hyn në punë si atyre edhe kroatëve. “Ata janë kampionë në fuqi dhe, nëse do të luanin në kurriz të Italisë, do të ishte mjaft e turpshme. Megjithatë futbolli i ka këto dhe historia i ka njohur edhe më parë. Ne kemi qenë dëshmitarë të rasteve kur ekipe kombëtare kanë toleruar për të dëmtuar kundërshtarët e tyre. Spanjollët kanë deklaruar hapur se nuk do të tolerojnë dhe do të fitojnë ndeshjen e tyre. Por, këto deklarata i kemi dëgjuar shpeshherë përpara ndeshjeve të tilla dhe në fund ka ndodhur e kundërta. Në këtë rast sinqerisht shpresoj shumë, që Spanja ta mbajë fjalën edhe pse jam shumë skeptik”.

Arsyet – Lipi ka thënë edhe arsyet se përse Spanja mund të bëjë një lëvizje të tillë. “Çdo skuadër sheh interesat e saj, sidomos në një kompeticion si Evropiani. Italia, edhe pse nuk është paraqitur mirë në dy ndeshjet e para, është një kundërshtare mjaft e fortë dhe Spanjës do t’i interesonte që të mos e kishte kundërshtare në të ardhmen. Në këtë aspekt unë i shoh të kota deklaratat e spanjollëve për fitore, pasi ata në takimin me Kroacinë mund të ndikohen të marrin një rezultat në interes të tyre. Ata thonë që edhe kanë traditë në futboll dhe nuk mund të bëjnë gjëra të tilla. Por, kujtojmë se çfarë i ndodhur Vilarealit në kampionatin spanjoll, kur ra në Kategorinë e Dytë si pasojë e një marrëveshjeje mes dy ekipeve. Pra vetë spanjollët nuk mund të flasin për traditë”, – përfundoi Lipi.

“Këtë herë Italinë e shpëtoj unë”

Mbrojtësi Xhorxhio Kielini beson se Italia do të fitojë me Irlandën dhe do të kualifikohet. “Ne mendojmë vetëm për takimin tonë, që të fitojmë. S’e kemi mendjen tek fati, tersi, aftësia. Ndonjëherë fatin duhet ta kërkosh. Ne tani do të fitojmë e pastaj nisim një fazë tjetër të Evropianit”, – tha lojtari i të kaltërve. I pyetur për numrin e mbrojtësve që preferon, ai u përgjigj. “Jemi profesionistë dhe pas shumë vitesh kemi provuar module të ndryshme e mënyra të të luajturit. Ajo që ka rëndësi për ne, është që të ketë ekuilibër në ekip. Shpresoj që ndaj Irlandës të jem unë që të shënoj”, – përfundoi ai.

Trapatoni: Do të luajmë për nderin e kombit

Trajneri i Irlandës, Xhovani Trapatoni, do të ketë sot ndoshta një nga ndeshjet më të vështira në karrierën e tij. Ai do të jetë në stolin e Irlandës përballë Italisë së tij, të cilën e ka drejtuar më parë. Megjithatë, tekniku i irlandezëve tregohet një profesionist dhe shprehet se skuadra e tij do të luajë në këtë ndeshje nderin e kombit, pavarësisht se në lojë është edhe nderi i vendlindjes së tij, Italisë, që në rast të një rezultati tjetër në këtë përballje, që nuk do të jetë fitorja, del jashtë kompeticionit. “Do të luajmë me nder dhe do të përfaqësohemi denjësisht pasi, një komb si Irlanda që na ka mbështetur gjatë gjithë turneut, e meriton një gjë të tillë. Edhe pse jemi të skualifikuar ne nuk duam që të kthehemi me një humbje në shtëpi”, – ka deklaruar tekniku. Trapatoni nuk beson se në ndeshjen mes Kroacisë dhe Spanjës do të ketë një “marrëveshje”, me qëllim që Italia të eliminohet nga kampionati evropian. “Mendoj se është shumë e vështirë që të përsëritet edhe njëherë tjetër ajo që ndodhi në vitin 2004. Në atë kohë, Suedia dhe Danimarka e bënë një marrëveshje mes tyre, por nuk e besoj se tashmë edhe dy kombëtare të tjera do të bëjnë të njëjtën gjë. Jo gjithmonë ndodhin episode të tilla”, – tha italiani, i cili ka qenë në stolin e kombëtares “axurre” në 2004-ën.

Skuadra – Trapatoni i bën edhe një analizë Italisë se tanishme dhe asaj të 2004-ës, të cilën e drejtonte vetë. “Me shumë pak ndryshime edhe unë në atë kohë kisha të njëjtat probleme që Italia ka tani. Kasano në atë kohë ka qenë një futbollist i ri në moshë dhe shpeshherë nuk i merrte gjërat me shumë qetësi, ndërsa tani është rritur. Në raste të tilla është trajneri ai që duhet të vendosë baraspeshën, pasi tifozët dëshirojnë gjithmonë talentin e ekipit në fushë. Edhe në skuadrën e tanishme është i njëjti problem me Balotelin. Tanimë është në dorën e Prandelit për të bërë zgjedhjet e tij dhe për të vendosur se kush do të luajë”, – ka përfunduar Trapatoni.