e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Del Boske: Me kroatet, Spanja ime me e mire

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Del Boske: Me kroatet, Spanja ime me e mire
Flitet gjerësisht se është një rezultat shumë i vështirë për t’u realizuar, por gjithsesi i mundshëm aq sa të reflektojë direkt te kualifikimi i Italisë për në çerekfinale. Ndonëse në konferencën e djeshme për shtyp trajneri i Spanjës pohoi më shumë se një herë se skuadra e tij do të luajë për fitore ndaj Kroacisë, ai përsëri la të kuptohet se çdo rezultat është i mundshëm, përfshi këtu edhe barazimin 2-2, i vetmi që nuk i intereson Italisë, por që nga ana tjetër kualifikon rehat si Spanjën dhe Kroacinë. Megjithatë, Del Boske pohon se do të hedhë skuadrën më të mirë në fushë duke mos bërë rotacion në formacion.

Formacioni – “Ju sigurojmë se do futemi në fushë për ta fituar këtë takim, por çdo rezultat është i mundshëm”, – ka pohuar tekniku. Më tej, Del Boske ka pohuar se nuk do të bëjë ndryshime në formacion, edhe pse gjatë këtyre ditëve është kritikuar disi nga mediat. “Unë shikoj vetëm ecurinë e ekipit tim. E di që disa lojtarë kanë luajtur rregullisht si me skuadrat e tyre dhe tani me Spanjën, por përderisa unë i shikoj se janë në formë, nuk ka arsye pse të mos t’i aktivizoj. Për këtë arsye edhe ndaj Kroacisë do të shihni ekipin më të mirë. Biliç? Respekt për atë. Është një trajner shumë i mirë, i cili ka bërë maksimumin edhe pse nuk ka pasur në organikë emra të mëdhenj lojtarë”, – ka pohuar Del Boske.

Kontrata - Tekniku do të vazhdojë të jetë trajner i Spanjës deri në Botërorin e vitit 2014 në Brazil. Ky është lajmi që jepet nga mediat spanjolle, ndërsa trajneri që doli kampion i botës në vitin 2010 do të jetë të paktën 6 vite në detyrë. Sipas së përditshmes “Marca”, kontrata e re e Del Boskes u bë gati para ndeshjes ndaj Italisë (1-1) në “Euro 2012″-të. Fillimisht ai deshi të priste pasi nuk dihet ende sesi do të shkojë ekipi në Evropian, por federata këmbënguli duke deklaruar se ka besim të plotë te Del Boske, cilado qofshin rezultatet në Poloni e Ukrainë. Del Boske e ka drejtuar Spanjën në 57 ndeshje zyrtare dhe miqësore dhe me kontratën e re pritet të bëhet trajneri me më shumë takime në përfaqësuesen iberike. Kubala e ka drejtuar atë në 68 ndeshje, Munjoz në 63 dhe Klemente në 62 ndeshje.

“Barazim 2-2? Vetëm shpikje e medias”

Futbollisti i përfaqësueses spanjolle, Huan Mata, ka hedhur poshtë çdo hipotezë për një barazim 2-2 me Kroacinë, rezultat ky që do çonte në shtëpi Italinë, pavarësisht se sa mund të fitonte ndaj Irlandës. I pyetur dje në konferencën për shtyp, mesfushori i Çelsit ka pohuar se Spanja do luajë vetëm për një rezultat: fitoren. “Kroacia është një skuadër e fortë dhe me lojtarë që luajnë në kampionate elitare, por ne jemi Spanja, ndaj do të bëjmë të pamundurën për të fituar. Barazimi 2-2? Është vetëm një shpikje e medias. Ne do të luajmë vetëm për fitore, sepse duam me çdo kusht që të jemi në krye të grupit”, – ka theksuar Mata.

Shënon Torres, fiton gjithnjë Spanja

Kur Fernando Torres shënon me fanellën e Spanjës, kombëtarja e këtij vendi nuk di të humbasë. Sulmuesi ka shënuar 30 gola në 22 ndeshje me “furitë e kuqe” dhe që prej vitit 2004 në barazimin me Italinë, sa herë që ka shënuar ky futbollist, Spanja ka fituar. Në takimin e parë ndaj Italisë luajti si titullar Fabregas dhe ndeshja përfundoi 1-1, ndërsa në përballjen me Irlandën, Torres hapi serinë e goleadës 4-0, duke shënuar edhe golin e tretë për spanjollët. Ai u bë edhe sulmuesi i tretë spanjoll që ka shënuar më shumë për këtë skuadër duke thyer rekordin e Fernando Hierros (29 gola). Ndërsa David Vila ka shënuar 51 dhe Raul 44 gola.

“Presion çdo lojtari, kështu ndalim Spanjën”

Trajneri i Kroacisë, Slaven Biliç, është i bindur se mund ta ndalë Spanjën, kampione bote. “Jam i bindur se ndaj Spanjës nuk do të jetë ndeshja ime e fundit si trajner i Kroacisë. Por edhe nëse një gjë e tillë do të ndodhë, ju siguroj se do largohem nga posti që mbaj me kokën lartë, pasi kjo skuadër më ka bërë krenar dhe besoj se do ta bëjë edhe në përballjen e nesërme (sot). Çfarëdolloj gjëje që të ndodhë, jemi krenarë për Evropianin që kemi bërë deri tani. Sigurisht unë pres që të shikoj një Kroaci të fortë ndaj Spanjës, sikundër kemi luajtur për shembull ndaj Anglisë në Zagreb, ose ndaj Gjermanisë në Klagenfurt”, – ka pohuar trajneri Slaven Biliç në konferencën e djeshme për shtyp. Shumë analistë presin një Kroaci që do të luajë më së shumti në mbrojtje, por Biliç thekson të kundërtën:

“Ne do të bëjmë të pamundurën që të mos luajmë në mbrojtje, por është kundërshtari që të detyron të bësh disa zgjedhje që ndoshta edhe nuk të pëlqejnë. Por, unë besoj se për të dalë fitimtarë nga kjo përballje më së pari duhet të jemi të bindur se e duam me shpirt këtë fitore dhe duhet të japim shpirtin në fushë. E di që edhe ata na kanë marrë seriozisht dhe nuk do të na nënvlerësojnë. Janë skuadra më e mirë në botë por, gjithsesi, nuk janë Barcelona”, – ka vazhduar tekniku i kroatëve. Në fund ai ka treguar edhe mënyrën sesi mund ta ndalë skuadrën e Del Boskes. “Si mundet Spanja? E rëndësishme është që t’i sulmosh një për një dhe të mos i lejosh që të luajnë topin. Duhet që t’u prishësh ritmin dhe në të njëjtën kohë t’i bësh që të kthehen në gjysmëfushën e tyre. Jemi gati si fizikisht dhe psikologjikisht, ndaj besojmë se mund t’ia dalim. Torres apo Fabregas? Unë do të doja që të mos luante Torres, por nuk besoj se Del Boske do na e japë këtë luks”, – ka përfunduar Biliç.

Blindohet qyteti, kroatët “pushtojnë” Poloninë

Gdansk, qyteti polak ku do të zhvillohet ndeshja e sotme mes Spanjës dhe Kroacisë, është blinduar nga forca të shumta policore. Shkak janë bërë tifozët kroatë, të cilët kanë mësyrë në numër të madh për të ndjekur dhe mbështetur skuadrën e tyre. Nisur edhe nga sulmet raciste dhe incidentet jo të vogla (por assesi të përmasave të para dhe pas ndeshjes Poloni-Rusi) gjatë ndeshjes Itali-Kroaci, policia në bashkëpunim edhe me UEFA-n kanë marrë masa të jashtëzakonshme për këtë ndeshje. Ndërkohë mësohet se për herë të parë para një ndeshjeje të këtij Evropiani, disa orë para fillimit të takimit në Gdansk, policia ka njoftuar se do të bllokojë dhe kontrollojë të gjitha rrugët që të çojnë drejt stadiumit. Pritet gjithashtu që UEFA të japë edhe verdiktin e vet lidhur me koret raciste të tifozëve kroatë ndaj Mario Balotelit gjatë ndeshjes me Italinë. Me shumë gjasa, Federata Kroate e Futbollit do të ndëshkohet me një gjobë të majme.