Portieri Bravo rekord ne La Liga, 630 minuta pa pesuar gol
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Portieri kilian, Claudio Bravo pas ndeshjes së të shtunës përballë Rayo Vallecano, ka hyrë në historinë e kampionatit spanjoll. Gardiani i Barcelonës ka mbetur padyshim i kënaqur që hyri në historinë e La Liga-s spanjolle, duke arritur rekordin prej 630 minutash pa pësuar gol.
Futbollisti i Kombëtares Kiliane e realizoi këtë arritje gjatë fitores 2:0 të Barcelonës ndaj Rayo Vallecano duke thyer rekordin e ish-portierit të Barcelonës, Pedro Maria Artola, që rezistoi për 560 minuta pa pësuar gol në vitin e largët 1978.
Bravo, i cili u transferua te gjiganti katalanas nga Real Sociedad u shpreh i lumtur edhe me reagimin e skuadrës së tij, pas humbjes së befasishme, por të ngushtë me rezultat 3:2 të pësuar në Ligën e Kampionëve nga Paris Saint-Germain.
“Jam i lumtur me këtë rekord. Kjo nuk ishte një fushë e lehtë dhe kundërshtarët krijuan rastet e tyre, por unë jam akoma më i kënaqur me mënyrën se si skuadra luajti në përgjithësi se sa për rekordin.”, është shprehur Bravo pas ndeshjes.
Fitorja e së shtunës ishte e gjashta në shtatë ndeshje të Barcelonës në La Liga për këtë sezon, duke i mundësuar katalanasve të ruajnë kreun e klasifikimit, me 19 pikë dhe dy pikë diferencë ndaj ndjekësve të Valencias.