e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Polemikat për emigrantet, Blushi: Kombëtarja, një shembull menaxhimi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Polemikat për emigrantet, Blushi: Kombëtarja, një shembull menaxhimi

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, deklaroi se një nga arsyet e suksesit të Kombëtares shqiptare të futbollit është edhe menaxhimi i duhur i burimeve njerëzore nga diaspora.

Untitled-2Deklarata e Blushit u bë sot në Parlament gjatë diskutimeve për ligjin e ri të regjistrimit të adresave të emigrantëve.

Deputeti socialist mori si shembull suksesin e arritur nga Kombëtarja shqiptare e futbollit në kualifikimin për në "Euro 2016", si një mënyrë që nuk duhet injoruar nga Qeveria.

Pjesë nga fjala e Blushit sot në Parlament:

"Është hapur kohët e fundit debati për reformën në drejtësi. E mbështes por kam dyshim nëse do funksionojë. Kjo mund të ishte mundësi e madhe, që prokurorë e gjyqtarë t'i marrim nga diaspora.

Rasti që ilustron fuqinë e diasporës është kombëtarja e Shqipërisë. Ajo është rasti që tregoi se si duke thirrur djemtë e talentuar që jetojnë në Perëndim, arritën ta kualifikojnë Shqipërinë.

Ajo nuk është vetëm arritje sportive, por edhe menaxheriale. U kthyen dhe u menaxhuan si duhet. Ky është sukses, se si mund të menaxhohet një burim njerëzor.

Diaspora shqiptare, duke u inkurajuar nga qeveria, do të mund të frenonte zbrazjen e Shqipërisë.

Shpresoj që ky ligj të krijojë një raport më të mirë mes nesh dhe diasporës për ta bërë Shqipërinë më të madhe",-përfundoi Blushi.