Pogba i trembet Mylerit: Një killer i heshtur
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pol Pogba është një nga lojtarët që i pëlqen Bajernit të Mynihut, duke qenë se në të kaluarën gjermanët kanë bërë disa oferta për të, por nga ana tjetër, edhe mesfushori francez i Juventusit duket se është një simpatizant i gjigantëve të Bundesligës.
Në një intervistë për rrjetin "Sky Sport" gjerman, 22-vjeçari paralajmëron shumë kujdes në pritje të duelit të së martës, në "Juventus Stadium". "I ndjek shpeshherë ndeshjet e Bajernit. Ata janë një skuadër tmerrë- sisht efikase, e cila di t'i japë ritëm lojës së saj me çfarëdo skuadre që ka përballë.
Ata janë shumë të fortë, pavarësisht dëmtimeve, sepse kanë në organikën e tyre lojtarë që mund të ndryshojnë ritmin e ndeshjes në çdo moment. Prandaj, nuk mendoj se kam nevojë që t'u them unë shokëve të mi se çfarë vështirësish na presin".
Në lidhje me futbollistin që e shqetëson më shumë, numri 10 i kampionëve të Italisë nuk ka dyshime. "Tomas Myler më mahnit. Ai di të jetë gjithmonë protagonist. Ndonjëherë duket sikur është zhdukur nga fusha, por papritur e sheh teksa shënjestron portën kundërshtare. Nëse mban fanellën e Bajernit të Mynihut në trup apo atë të Kombëtares së Gjermanisë, pak ndryshim ka për të.
Myler di të shënojë gjithmonë, ai është një punëtor i heshtur, një golashënues i lindur". Gjithsesi, "diamanti" bardhezi është i sigurt se edhe Juventusi ka potencialin e duhur për ta përballuar me sukses këtë duel gjigantësh në 1/8-at e Ligës së Kampioneve, sepse sipas tij, skuadra ka diçka më shumë në mesfushë sivjet. Dhe të gjitha elozhet janë për gjermanin Sami Khedira.
"Sivjet kemi një ekip realisht të kompletuar. Kemi humbur lojtarë të rëndë- sishëm, por ndërkohë kemi afruar të tjerë futbollistë shumë të fortë, si Khedira për shembull. Sami më magjeps, sepse di të bëjë gjithçka.
Rikuperon një numër të pafundmë topash, diçka që na i lehtëson edhe më shumë punët neve që luajmë përkrah tij në mesfushë. Një si Khedira na ka dhënë shumë soliditet, por ai është një futbollist që jo vetëm ndihmon në manovrën mbrojtëse, por është shumë i zgjuar edhe kur e sheh të hidhet në sulm.
Di të krijojë hapësirë në zonën kundërshtare, ka vizion loje dhe njeh shumë mirë edhe portën. Me cilësitë e tij, Sami na garanton shumë alternativa, prandaj jemi optimistë se me të tilla armë, mund ta vëmë shumë në vështirësi Bajernin e Mynihut, - vazhdon Pogba, i cili në fund e mbyll me një batutë për modelin e ri të flokëve.
- Pokemonat në kokë? Pse ta fsheh, kam qenë fans i atij filmi me kartonë dhe i atyre personazheve, prandaj i 'pikturova' te flokët e mi. Më pëlqen ky imazh i ri, por ndërkohë po mendoj për atë të radhës...".