Plas te Luftëtari, shkarkohet trajneri Hysi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mustafa Hysi nuk do të jetë më trajner i Luftëtarit, edhe pse skuadra e tij kryeson prej javësh kampionatin e Kategorisë së Parë në Grupin B. 
Dje në mbrëmje drejtuesit i kanë komunikuar trajnerit gjirokastrit vendimin drastik. Krahas Hysit, është shkarkuar edhe ndihmësi i tij, Kristaq Ciko.
Burime zyrtare në klubin bluzi konfirmuan lajmin për "Panorama Sport", por pa dhënë motivacionin e shkarkimit të stafit. Duket se barazimi i fundit me Elbasanin në transfertë dhe afrimi i Apolonisë me dy pikë nuk është përtypur nga donatori Grigor Tavo. Nga klubi konfirmohet se do të vijojë punën trajneri i portierëve, Dritan Kristidhi.
Gjasat janë që brenda kësaj jave të emërohet trajneri i ri, ndërsa mësohet se ekipi do të stërvitet nga Kristidhi dhe drejtori teknik, Vasil Papa, derisa klubi të bëjë zgjedhjen për kryepankinën.
Reagimi
Trajneri Hysi ka mbetur i zhgënjyer nga vendimi i drejtuesve të klubit për shkarkimin, duke e cilësuar atë si të pavend, ndërkohë që skuadra e tij kryeson kampionatin, pavarësisht se barazoi dy ditë më parë në Elbasan.
"Jam i zhgënjyer, sepse unë kisha nisur një punë dhe deri tani kemi ecur shumë mirë. Kryesojmë renditjen dhe kemi krijuar një grup solid. Me sa duket, vetëm në Gjirokastër ndodh që të shkarkohet trajneri që kryeson kampionatin... Ky është vendimi i drejtuesve dhe nuk më mbetet gjë tjetër, veçse ta respektoj",deklaroi i zhgënjyer Hysi dje në mbrëmje nëpërmjet telefonit për "Panorama Sport".
Precedenti
Nuk është hera e parë që Hysi largohet nga Luftëtari kur kryeson kampionatin. Edhe katër vite më parë, ai u largua nga stoli gjirokastrit ndërsaekipi kryesonte me 9 pikë para rivalëve, duke i lënë vendin Nevil Dedes. "Po, është e pashpjegueshme kjo që ndodh në Gjirokastër. Motivimi pse më larguan ishte rezultati në Elbasan. Më duket e çuditshme... Kështu më larguan edhe herën e fundit. Ne ishim në vend të parë dhe kryesonim me 9 pikë diferencë dhe, më pas, sollën Deden. Nuk di çfarë t'ju them. Çudira të tilla nuk kam parë në asnjë vend tjetër. Ndodh vetëm në Gjirokastër dhe më vjen shumë keq, pasi ky është qyteti im", përfundoi ish-trajneri i Luftëtarit, i cili e ka drejtuar skuadrën bluzi për shumë vite, madje edhe në Kategorinë Superiore. Në verën e vitit të kaluar, Hysi u rikthye te Luftëtari pas dy sezonesh në krye të Butrintit, ku iu afrua ngjitjes në Superiore.
Përgatiti: