e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Plas skandali te Butrinti, akuza për korrupsion

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Plas skandali te Butrinti, akuza për korrupsion

Situata aktuale në klubin e Butrintit u bë shkak i debateve të shumta midis këshilltarëve të djathtë dhe të majtë në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Sarandës.
ButrintiKëshilltarëve u ishte vënë në dispozicion materiali informues, në një kohë që për më tepër se një orë diskutimi u ndal në materialin e paraqitur nga administratori i klubit të futbollit, Eleron Gjoni.

Akuzat

Këshilltarët e djathtë si: Qesko Çakalli, Hariz Mema, Përparim Ahmeti etj., por edhe këshilltari i PDIU-së, Mehmet Nelaj, ishin debatues të ashpër duke e quajtur informacionin e paraqitur të paplotë dhe që sipas tyre fsheh realitetin abuziv, pa treguar nëse fondet e destinuara kanë shkuar realisht në destinacionin e duhur apo jo.

Këshilltari Mehmet Nelaj në fjalën e tij u shpreh: "Ja ku është vendimi i QKR-së që nga viti 2014 që është larguar ish-administratori Hysen Hysi dhe nuk ka më administrator. I ka mbaruar mandati këshillit mbikëqyrës që në 2014 që përbëhej nga Margarit Çakalli, Xhorxhi Vasili dhe Eleron Gjoni që më 25.08.2014.

Si funksionon këshilli mbikëqyrës i KF Butrinti sh.a?! Ç'bëhet me këto para atje, kush merret me to? Unë do lajmëroj Prokurorinë të vijë këtu, ku kanë vajtur lekët? Por, unë i them këshillit të ngrejë një komision 'ad hock' të fortë, të shikojmë ligjet si janë zbatuar".

Bojkoti

Zv/kryetari i Bashkisë, Jorgo Mitro, administratori Eleron Gjoni, si dhe këshilltarët e majtë argumentuan se Këshillit Bashkiak iu ofrua informacion për atë çfarë u kërkua një mbledhje më parë dhe se nuk është i nevojshëm një informacion i detajuar për çdo shpenzim, pasi për këtë është dokumentacioni përkatës.

Këshilltarët që mbronin mendimin e kundërt kërkuan ngritjen e një komisioni hetimor për mënyrën e shpenzimit të fondeve, por kjo u kundërshtua me argumentin se duhet pritur sa të përfundojë auditi i brendshëm, që është duke u kryer.

Përgatiti: GERALD BREGU

Propozimi për komisionin hetimor nuk fitoi edhe pasi u hodh në votim. Kjo ka bërë që këshilltarët e djathtë të bojkotojnë vazhdimin e mbledhjes dhe të largohen prej saj.