Pirlo prezanton Konten te Çelsi: Po merrni një trajner të çmendur
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
"E dua atë njeri. Nuk ndiej asgjë tjetër veç respekt dhe admirim". Këto janë superlativat me të cilat flet Andrea Pirlo për mikrofonat e "Mirror" për ish-trajnerin e tij Antonio Konte, i destinuar të ulet në stolin e kampionëve të Anglisë pas Europianit.
Regjisori i kombëtares italiane, i cili sot luan te Nju Jork Siti, punoi me ish-trajnerin e Juves, duke fituar 3 tituj radhazi 2011-2014: "Di që kur merr një punë të re do të punojë sipas kushteve të tij. Do t'i vendosë ai lojtarët që do të transferojë, largojë dhe stilin e lojës.
Nëse një president merr Konten dhe nis të vendosë për këto gjëra, atëherë ai nuk është trajneri i duhur për të. Përkundrazi, nëse e lë të lirë, ai do të ketë një skuadër që luan futboll të bukur dhe pa dyshim fitues. Ai ka edhe bishën brenda tij.
Njëherë, në dhomën e zhveshjes, gjatë pushimit të një ndeshjeje nisi të shqelmojë shishet me ujë për një gabim që do të na kishte siguruar një gol më tepër. Ai jeton për futbollin dhe është i çmendur për të".